• e mërkurë, 21 maj 2025

Trampi: Meloni bëri një përshtypje "fantastike" gjatë vizitës në Shtëpinë e Bardhë

Trampi: Meloni bëri një përshtypje

Uashington, 18 prill 2025 (MIA) -  Presidenti i SHBA-së, Donald Tramp, shprehu entuziazmin e tij për kryeministren italiane Xhorxha Meloni pas vizitës së saj në Shtëpinë e Bardhë,  duke postuar në platformën e tij “Truth Social” se “përshtypja që ajo la tek të gjithë ishte fantastike!!!”

Trampi tha se Meloni "ishte e mrekullueshme dje në vizitën e saj në Shtëpinë e Bardhë", duke theksuar dashurinë për vendin e saj, raportoi DPA.

Shtëpia e Bardhë tha se Trampi kishte pranuar një ftesë nga Meloni për të bërë një vizitë zyrtare në Itali "në një të ardhme shumë të afërt".

Zëvendëspresidenti i Trampit, Xhej Di Vens, ndodhet aktualisht në Romë.

Meloni u takua me Trampin në Zyrën Ovale dje, dhe të dy ishin dukshëm në disponim të mirë dhe bënin shaka gjatë një konference të përbashkët për shtyp.

Kryeministri italian vuri në pah ngjashmëritë mes dy qeverive, ndërsa Trampi vlerësoi lart Melonin.

Në bisedën dypalëshe u diskutua edhe për taksat doganore.

Ashtu si shumë liderë të tjerë evropianë, Meloni kritikoi njoftimin e Trampit për tarifa të reja ndëshkuese, ndërsa kërkonte marrëdhënie të mira me presidentin amerikan, duke synuar të vepronte si një "ndërtues ure".

Pas takimit, Shtëpia e Bardhë tha se "SHBA dhe Italia bien dakord të punojnë për të siguruar që tregtia midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Evropës të jetë e ndërsjellë, e dobishme, e drejtë dhe reciproke".

Meloni konsiderohet si një nga kontaktet e preferuara të Trampit në mesin e liderëve evropianë.

Lideri i partisë së krahut të djathtë Vëllezërit e Italisë mori pjesë në inaugurimin e Trampit në janar dhe ishte mysafir në rezidencën e tij Mar-a-Lago në Florida. sa/

foto: EPA

QËNDRONI TË LIDHUR