• e premte, 05 dhjetor 2025

Trampi me kritika për Netanjahun: Bombardimi i aleatit tonë nuk është në interesin e askujt

Trampi me kritika për Netanjahun: Bombardimi i aleatit tonë nuk është në interesin e askujt

Uashington, 10 shtator 2025 (MIA) - Presidenti i SHBA-së, Donald Tramp, tha se ndihet "shumë keq" për sulmin izraelit në Doha, duke theksuar se e konsideron Katarin një "aleat dhe mik të fortë" të SHBA-së.

"Dua që TË GJITHA pengjet dhe trupat e të vdekurve të lirohen menjëherë dhe kjo luftë të mbarojë, TANI! Pas sulmit, fola me kryeministrin Netanjahu. Kryeministri më tha se dëshiron paqe. Besoj se ky incident i pafat mund të shërbejë si një mundësi për PAQE", shkroi Tramp. Ai shtoi se kishte folur edhe me emirin dhe kryeministrin e Katarit dhe i falënderoi ata për "mbështetjen dhe miqësinë" e tyre ndaj SHBA-së.

"I sigurova ata se diçka e tillë nuk do të ndodhë përsëri në tokën e tyre", tha ai, duke shtuar se kishte udhëzuar shefin amerikan të diplomacisë, Marko Rubio, të finalizonte "Marrëveshjen e bashkëpunimit në mbrojtje", me Katarin.

Tramp theksoi se vendimi për të sulmuar udhëheqësit e Hamasit në Doha nuk u mor prej tij, por nga kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu.

"Bombardimi i një shteti sovran dhe aleati të ngushtë amerikan, i cili po merr me guxim rreziqe në përpjekjen për të ndërmjetësuar paqen, nuk i çon përpara qëllimet e Izraelit apo të Amerikës", tha ai. Megjithatë, ai shtoi se "eliminimi i Hamasit, i cili përfiton nga mjerimi i popullit të Gazës, është një qëllim i denjë". Ai tha gjithashtu se menjëherë pasi mësoi për planin e sulmit izraelit, urdhëroi të dërguarin special të SHBA-së, Stiv Vitkof, të njoftonte Katarin, por ishte tepër vonë për të parandaluar sulmin.

Në rrjetin social Truth, Trampi njoftoi se ushtria amerikane e kishte informuar administratën e tij për sulmin izraelit. sa/

foto: Truth social

QËNDRONI TË LIDHUR