Trampi konfirmon se ka pasur bisedë telefonike me Maduron, ndërsa Venezuela e akuzon SHBA-në se dëshiron naftën e saj
- Presidenti amerikan Donald Tramp konfirmoi raportet se kohët e fundit ka folur në telefon me presidentin e Venezuelës, Nikolas Maduro, ndërsa tensionet midis dy vendeve rriten.
- Post By Fami Bajrami
- 08:12, 1 dhjetor, 2025
Uashington, 1 dhjetor 2025 (MIA) – Presidenti amerikan Donald Tramp konfirmoi raportet se kohët e fundit ka folur në telefon me presidentin e Venezuelës, Nikolas Maduro, ndërsa tensionet midis dy vendeve rriten.
I pyetur në bordin e "Air Force One" në lidhje me një raport të Nju Jork Tajmsit të premten se Tramp pati një telefonatë me Maduron javën e kaluar, presidenti amerikan tha: “Nuk dua të komentoj për këtë. Përgjigja është po.”
"Nuk do të thoja se shkoi mirë apo keq. Ishte një bisedë telefonike", shtoi Trampi, raporton DPA.
Duke cituar burime të shumta të njohura me çështjen, Nju Jork Tajmsi raportoi se Maduro dhe Trampi kanë diskutuar për takim të mundshëm, megjithëse nuk u raportua se ishin bërë plane.
Gazetarët në "Air Force One" pyetën gjithashtu nëse një sulm ajror ndaj Venezuelës është i pashmangshëm, pasi Trampi tha më parë gjatë javës se operacionet tokësore për të ndaluar trafikantët e dyshuar të drogës nga Venezuela do të fillonin "shumë shpejt" dhe se hapësira ajrore e Amerikës së Jugut duhet të konsiderohet "plotësisht e mbyllur".
"Mos supozoni asgjë," u përgjigj Trampi.
Administrata e Trampit javët e fundit ka rritur retorikën dhe masat e saja kundër Venezuelës.