Trampi: Jam mjaft i sigurt se do të ketë një marrëveshje, populli i Izraelit dëshiron që kjo të ndodhë
- Presidenti amerikan Donald Trampi, deklaroi se është "mjaft i sigurt" se do të ketë një marrëveshje midis Izraelit dhe Hamasit për planin e tij për t’i dhënë fund luftës në Gazë.
- Post By Ajrije Rexhepi
- 09:01, 7 tetor, 2025
Uashington, 7 tetor 2025 (MIA) - Presidenti amerikan Donald Trampi, deklaroi se është "mjaft i sigurt" se do të ketë një marrëveshje midis Izraelit dhe Hamasit për planin e tij për t’i dhënë fund luftës në Gazë.
"Mendoj se do të kemi një marrëveshje… Ata me shekuj janë përpjekur fjalë për fjalë të arrijnë një marrëveshje me Gazën… Populli izraelit dëshiron që kjo të ndodhë", u tha Trampi gazetarëve në Zyrën Ovale.
Në pyetjen e gazetarëve nëse pengjet do të lirohen sot, në përvjetorin e dytë të sulmit të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor, Tramp nuk saktësoi një afat kohor për shpalljen e marrëveshjes, raportoi "Njujork tajms".
Në pyetjen nëse kishte qenë në kontakt me familjet e pengjeve në lidhje me propozimin e tij për Gazën, Trampi tha se kishte qenë dhe se të afërmit e pengjeve ishin "të emocionuar".
Trampi mohoi se i kishte thënë së fundmi kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu të ndalojë të jetë aq "tmerrësisht negativ" dhe të "pranojë fitoren" pasi Hamasi pranoi propozimin e Shtëpisë së Bardhë për t'i dhënë fund luftës në Gazë.
"Jo, nuk është e vërtetë. Ai ishte shumë pozitiv në lidhje me marrëveshjen", tha ai.
Në pyetjen nëse ka ndonjë vijë të kuqe për Hamasin në negociatat që filluan në Egjipt, Tramp u përgjigj pozitivisht.
"Nëse disa gjëra nuk përmbushen, nuk do ta bëjmë atë. Por, mendoj se po përballemi shumë mirë. Hamasi ka rënë dakord për gjëra që janë shumë të rëndësishme", tha presidenti amerikan.
Foto: EPA