• e premte, 05 dhjetor 2025

Trampi i përqeshi planet e Maskut për një parti të re, duke i përshkruar ato si "absurde dhe konfuze"

Trampi i përqeshi planet e Maskut për një parti të re, duke i përshkruar ato si

Uashington, 7 korrik 2025 (MIA) - Presidenti amerikan Donald Tramp i ka vlerësuar planet e Ilon Maskut për të formuar një parti të re politike si absurde, duke shtuar se Amerika funksionon më së miri brenda një sistemi dypartiak.

Një ditë pasi Mask përshkallëzoi konfliktin me Trampin duke njoftuar krijimin e një partie të re, gazetarët e pyetën presidentin amerikan për koment para largimit të tij nga Moristaun, Nju Xhersi ku po vizitonte një klub lokal golfi.

"Mendoj se është absurde të krijohet një parti e tretë. Kemi pasur sukses të jashtëzakonshëm me Partinë Republikane. Demokratët kanë humbur drejtimin, por gjithmonë ka pasur një sistem dypartiak dhe krijimi i një partie të tretë thjesht shkakton konfuzion", deklaroi Tramp. "Sistemi është krijuar për dy parti. Partitë e treta nuk kanë funksionuar kurrë, kështu që Mask mund të argëtohet me të, por mendoj se është absurde", shtoi ai.

Mask të shtunën njoftoi formimin e partisë "Amerika" në përgjigje të propozimit të Trampit për uljen e taksave dhe shpenzimeve, për të cilin miliarderi thotë se do ta falimentojë vendin. Mask, i cili ishte këshilltari kryesor i Trampit për reforma në qeverinë federale në fillim të mandatit të tij, deklaroi se partia e tij do të përpiqet të largojë kongresmenët republikanë që mbështetën ligjin, të quajtur "Ligji i madh i mrekullueshëm", në zgjedhjet e ardhshme. ls/

Foto: EPA

 

QËNDRONI TË LIDHUR