• e premte, 05 dhjetor 2025

Trampi e autorizoi CIA-n për operacione të fshehta në Venezuelë

Trampi e autorizoi CIA-n për operacione të fshehta në Venezuelë

Uashington, 16 tetor 2025 (MIA) – Presidenti amerikan Donald Tramp dje konfirmoi se e ka autorizuar Agjencinë Qendrore të Inteligjencës (CIA) që të zbatojë operacione të fshehta në Venezuelë, informon DPA. 

I pyetur në konferencë për media në Shtëpinë e Bardhë pse e ka autorizuar CIA-n të hyjë në Venezuelë, Trampi tha se “i zbrazëm burgjet tona në SHBA” dhe se “kemi shumë drogë që vjen nga Venezuela”. 

Trampi refuzoi të përgjigjet në pyetjen nëse CIA ka autorizim që ta “largojë” presidentin autoritar të Venezuelës Nikollas Maduro, për të cilin SHBA-ja thotë se është i përfshirë në tregtinë ndërkombëtare me drogë. 

Presidenti deklaroi se administrata e tij shqyrton masa për çrrënjosjen e operacioneve kundër drogës në tokë, krahas sulmeve të cilat ushtria amerikane i zbaton ndaj anijeve për të cilat dyshon se sjellin drogë në Karaibe. 

“Një pjesë e madhe e drogës nga Venezuela hyn përmes detit, prandaj mund ta shihni këtë, por ne do t’i ndalojmë edhe në tokë”, tha Trampi, transmeton agjencia gjermane. 

Në javët e fundit, ushtria amerikane vazhdimisht gjuante ndaj anijeve me trafikantë të dyshimtë të drogës në Karaibe. Bëhet e ditur se në këto aksione janë vrarë më shumë se 20 persona, transmetoi DPA. 

Aksionet shkaktuan kritika të ashpra, pjesërisht sepse qeveria amerikane fillimisht nuk arriti të sigurojë bazë ligjore për sulmet. 

Kombet e Bashkuara paraprakisht në tetor i bënë thirrje Qeverisë amerikane të tregohen të përmbajtur, përkujton DPA. 

Mediat amerikane para pak kohësh njoftuan se Trampi ka konfirmuar se SHBA-ja është në “konflikt të armatosur” me kartelet e drogës dhe se trafikantët janë “luftëtarë të jashtëligjshëm”, ndërsa administrata e tij i shpalli kartelet e drogës organizata terroriste. fc/

Foto: EPA

 

QËNDRONI TË LIDHUR