• e mërkurë, 27 nëntor 2024

Trampi e akuzoi Zelenskin për fillimin e luftës me Rusinë

Trampi e akuzoi Zelenskin për fillimin e luftës me Rusinë

Uashington, 18 tetor 2024 (MIA) - Kandidati republikan për president të SHBA-së, Donald Tramp ka akuzuar presidentin ukrainas, Vollodimir Zelenski se ka ndihmuar fillimin e luftës me Rusinë, duke lënë të kuptohet për një ndryshim radikal në politikën ndaj Ukrainës nëse ai fiton zgjedhjet më 5 nëntor.

Për shkak të miliarda dollarëve ndihmë ushtarake amerikane për Ukrainën që nga fillimi i luftës në vitin 2022, ish presidenti amerikan e kritikon rregullisht Zelenskin gjatë fushatës, duke e quajtur vazhdimisht "tregtarin më të madh në botë".

Tramp ka kritikuar liderin ukrainas për shkak të asaj që nuk kërkoi paqe me Moskën dhe propozoi që Ukraina t'i dorëzojë Rusisë disa territore për të arritur një marrëveshje paqeje, një lëshim që Kievi e konsideron të papranueshëm.

Në podkastin PBD të Patrik Bet-Dejvid, ai tha se Zelenski është fajtor jo vetëm që nuk i dha fund luftës, por edhe se ndihmoi fillimin e saj.

“Kjo nuk do të thotë se nuk dua ta ndihmoj, pasi më vjen shumë keq për ata njerëz. Por, ai kurrë nuk duhet ta kishte lënë atë luftë të fillonte. Në luftë, të gjithë janë humbës", tha Tramp.

Në takimin në Nju-Jork në shtator, Zelenski ia prezantoi Trampit "planin për fitore" me të cilën do t'i jepte fund luftës, ndërsa sipas dy liderëve, takimi ishte i përzemërt.

Tramp në disa raste deklaroi se do t'i japë fund konfliktit kur të marrë detyrën në janar, por nuk ka sqaruar si.

Megjithatë, komentet publike të Trampit sugjerojnë se ai do t'i japë fund ndihmës për Ukrainën nëse mposht kandidaten demokrate dhe nënpresidenten, Kamala Harris. Ajo premtoi mbështetje të vazhdueshme për Ukrainën dhe e theksoi fitoren e kombit ukrainas si një interes për sigurinë kombëtare amerikane. Harris e ka kritikuar vazhdimisht Trampin se nuk dëshiron ta kundërshtojë presidentin rus Vlladimir Putin. rq/bsh/

Foto: arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR