• e shtunë, 06 dhjetor 2025

Trampi do ta firmos ligjin për uljen e taksave dhe shpenzimeve në një ceremoni të veçantë

Trampi do ta firmos ligjin për uljen e taksave dhe shpenzimeve në një ceremoni të veçantë

Uashington, 4 korrik 2025 (MIA) - Presidenti amerikan Donald Tramp deklaroi mbrëmë se do të firmosë ligjin për uljen e taksave dhe shpenzimeve të miratuar nga Kongresi me rastin e Ditës së pavarësisë dhe ftoi të gjithë anëtarët e Kongresit të marrin pjesë në ceremoni.

“Së bashku do ta festojmë pavarësinë e vendit tonë dhe fillimin e epokës së tij të artë”, shkroi Trampi në rrjetin social “Truth Social”.

Më parë, Shtëpia e Bardhë njoftoi se ceremonia për nënshkrimin e ligjit do të jetë në orën 17 sipas kohës lokale.

Ndërkohë, më shumë se 130 diplomatë në pension dhe ish funksionarë të tjerë të lartë amerikanë kanë publikuar një letër të hapur duke kritikuar ristrukturimin e planifikuar që do të shkurtonte mijëra vende pune.

"Dënojmë fuqishëm vendimin e shpallur të Sekretarit të shtetit Marko Rubio për të zbatuar një reduktim gjithëpërfshirës të stafit dhe riorganizim të Departamentit amerikan të shtetit", thuhet në letër.

Mes nënshkruesve janë dhjetëra ish ambasadorë dhe funksionarë të lartë, përfshirë edhe Suzan Rajz e cila ishte këshilltare për sigurinë kombëtare të presidentit Barak Obama.

Në fund të majit, administrata e Trampit njoftoi Kongresin për planet e saj për riorganizim të trupit diplomatik që mund të shkurtojë mijëra vende pune, përfshirë qindra anëtarë të shërbimit elitar diplomatik.

Foto: arkivi i EPA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR