Trampi dhe Putini sot në Enkorixh, në Alaskë, do të bisedojnë për luftën në Ukrainë
- Presidenti amerikan dhe ai rus, Donald Tramp dhe Vladimir Putin, sot do të takohen në Alaskë, shteti federal më i madh dhe më i largët amerikan, për të biseduar rreth ndërperjes së luftës në Ukrainë.
- Post By Qefsere Abduli
- 08:32, 15 gusht, 2025
Uashington, 15 gusht 2025 (MIA) - Presidenti amerikan dhe ai rus, Donald Tramp dhe Vladimir Putin, sot do të takohen në Alaskë, shteti federal më i madh dhe më i largët amerikan, për të biseduar rreth ndërperjes së luftës në Ukrainë.
Takimi është caktuar në bazën ajrore Elendorf-Riçardson, rreth 10 kilometra nga Enkorixhi, për të cilën Si-En-En thekson se është e vetmja në Aleancë që i plotëson kërkesat e sigurisë.
Fillimi i samitit, të cilin shumë e konsiderojnë historike, është paralajmëruar për në orën 11:30 sipas kohës lokale, gjegjësisht në orën 21:30 sipas kohës qendrore evropiane, ndërsa siç njoftoi ndihmës i presidentit rus, Jurij Ushakov, ai do të jetë plotësisht i koordinuar dhe do të fillojë me një bisedë tete-a-tete, pas së cilës do të vijojë një takim i zgjeruar me pjesëmarrjen e delegacioneve.
"Bisedimet do të vazhdojnë gjatë drekës së punës. Tema kryesore do të jetë kriza ukrainase, por edhe bashkëpunimi ekonomik ndërmjet Moskës dhe Uashingtonit", tha Ushakov, duke shtuar se kohëzgjatja e takimit nuk është e kufizuar paraprakisht dhe do të varet nga zhvillimi i bisedimeve.
Ai, gjithashtu, shtoi se çdo delegacion do të ketë pesë anëtarë.
Anëtarët e delegacionit rus do të jenë, ministri i Punëve të Jashtme, Sergej Lavrov, ministri i Mbrojtjes, Andrej Belloshov, ministri i Financave, Anton Siluanov, drejtori i Fondit rus për investime direkte, Kiril Dmitriev, si dhe Ushakov, njoftojnë mediat ruse, duke shtuar se pas mbledhjes është planifikuar një konferencë e përbashkët për mediat, nëse bisedimet e lejojnë këtë.
Nga ana tjetër, Shtëpia e Bardhë njoftoi se Trampi ka për qëllim të fokusohet ekskluzivisht në ndërprerjen e luftës në Ukrainë, duke lënë anash çështjet e tjera, për të cilat Moska tha se mund të diskutohen në një kohë tjetër.
Trampi, para dy ditë, pas bisedimeve me presidentin ukrainas, Volodimir Zelenskin dhe liderët evropian, premtoi "shumë pasoja të rënda" për Putinin dhe Rusinë nëse nuk pajtohet me ndërprerjen e luftës.
Në media u shfaqën edhe detaje të propozimit rus për paqe, e cila thuhet se është dërguar tek përfaqësuesi presidencial amerikan, Stiv Uitkof, para marrëveshjes së shpejtë për samitin në Alaskë. Në thelb, propozimet përfshijnë dorëzimin e territoreve në rajonin e Donbasit në Ukrainën lindore nga ana e Kievit, për të cilat do të pasohet një marrëveshje për armëpushim, që udhëheqësit ukrainas e hodhën kategorikisht poshtë.
Megjithatë, Trampit, duket se i ka pëlqyer idea për shkëmbimin e territoreve për paqe, i cili të hënën tha se edhe Ukraina edhe Rusia do të duhet të tërhiqen nga disa territore për të mbyllur luftën dhe se "në dy minutat e para do të dinë nëse është i mundur përparimi".
"Do të ketë shkëmbim territoresh. E di këtë nga bisedimet me Rusinë dhe palët e tjera, dhe kjo është në interes të Ukrainës", tha ai.
Gazeta britanike "Telegraf" raportoi se Trampi mund t'i ofrojë Putinit qasje në minerale të rralla për ta inkurajuar të përfundojë luftën në Ukrainë. Sipas gazetës, në takim mund të diskutohet hapja e burimeve natyrore të Alaskës për Moskën dhe heqja e disa sanksioneve amerikane ndaj industrisë ajrore ruse.
Heqja e sanksioneve ndaj industrisë ajrore ruse do të ishte gjithashtu fitimprurëse për prodhuesin amerikan Boing, raporton gazeta britanike.
Gazeta britanike "Tajms" njoftoi se Rusia dhe SHBA-ja kanë biseduar për okupimin izraelit të Bregut Perëndimor si model për përfundimin e luftës në Ukrainë.
Sipas këtij skenari, Rusia do të kishte kontroll ushtarak dhe ekonomik mbi pjesët e okupuar të Ukrainës përmes një strukture të saj qeverisëse, duke imituar administratën faktike të Izraelit mbi territoret palestineze të pushtuara nga Jordania në vitin 1967, shtoi gazeta.
Siç njoftoi një burim i afërt me Këshillin për Sigurinë Kombëtare të SHBA-së, idea u ngrit disa javë më parë gjatë një bisede ndërmjet Stiv Uitkof, përfaqësues i presidentit amerikan Donald Tramp, dhe bashkëbiseduesve të tij rusë në Moskë.
Idea për shkëmbim territoresh u hodhë poshtë nga presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski. qa/