Trampi dhe Bin Salman në Riad nënshkruan marrëveshje për partneritet strategjik ndërmjet SHBA-së dhe Arabisë Saudite
- Presidenti amerikan Donald Tramp dhe princi i kurorës saudite Mohamed bin Salman sot në Riad nënshkruan marrëveshje për partneritet ekonomik strategjik ndërmjet SHBA-së dhe Arabisë Saudite.
- Post By Sara Ademi
- 16:38, 13 maj, 2025
Riad, 13 maj 2025 (MIA) - Presidenti amerikan Donald Tramp dhe princi i kurorës saudite Mohamed bin Salman sot në Riad nënshkruan marrëveshje për partneritet ekonomik strategjik ndërmjet SHBA-së dhe Arabisë Saudite.
Mediat britanike njoftojnë se partneriteti përfshin marrëveshje në fushat e energjetikës, minierave dhe mbrojtjes.
Marrëveshja për mbrojtje është fokusuar në bashkëpunimin ushtarak ndërmjet dy vendeve, duke përfshirë modernizimin dhe zhvillimin e kapaciteteve të forcave të armatosura saudite, raportoi Si-En-En.
U nënshkruan edhe marrëveshje tjera, duke përfshirë edhe për bashkëpunim ndërmjet organeve doganore të të dy vendeve, për kërkime mjekësore me sëmundje të ndryshme, bashkëpunim gjyqësor dhe partneritet ndërmjet Ministrisë saudite të punëve të jashtme dhe Byrosë federale për hetime të SHBA-së (FBI).
Trampi dhe delegacioni i biznesit në mëngjes mbërritën në Arabinë Saudite, duke nisur turneun katërditor në Gjirin.
Në shoqërimin e biznesmenëve amerikan, ishte edhe drejtori ekzekutiv i "Tesla"-s dhe këshilltar i Trampit, Elon Mask, Trampi fillimisht do ta vizitojë Riadin, ndërsa pastaj do të udhëtojë në Katar dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Gjatë vizitës, Trampi njoftoi mundësinë e një udhëtimi në Turqi të enjten në biseda të drejtpërdrejta mes presidentit rus Vladimir Putin dhe presidentit ukrainas Volodimir Zelenski.
Vizita e Gjirit kryesisht është përqëndruar në çështje ekonomike, me njoftime të pritura për investime të cilat mund të arrijnë mijëra miliarda dollarë.
Arabia Saudite që në janar premtoi 600 miliardë dollarë investime në SHBA gjatë katër viteve të ardhshme, ndërsa Trampi planifikon të kërkojë një shumë prej mijëra miliarda dollarësh.
Gjatë qëndrimit në Riad, Trampi do t'i ofrojë Arabisë Saudite pako armësh në vlerë prej mbi 100 miliardë dollarë, duke përfshirë edhe aeroplanët transportues të avancuar C-130, citojnë burime të delegacionit.
Trampi megjithatë, nuk do të përqëndrohet në çështjen e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Arabisë Saudite dhe Izraelit, edhe pse ky është një nga qëllimet e tij kryesore gjeopolitike.
Vizitat e tij të ardhshme në Katar dhe Emiratet e Bashkuara Arabe do të përqëndrohen në tema ekonomike, ndërsa pritet që Katari t'i dhurojë Trampi një aeroplan luksoz "Boing 747-8", i cili do të jetë i pajisur si "Er Fors Uan". sa/
foto: EPA