• e shtunë, 06 dhjetor 2025

Trampi dërgon Gardën Kombëtare të Kalifornisë në Oregon, pavarësisht kundërshtimeve nga të dyja shtetet

Trampi dërgon Gardën Kombëtare të Kalifornisë në Oregon, pavarësisht kundërshtimeve nga të dyja shtetet

Uashington, 6 tetor 2025 (MIA) - Presidenti amerikan, Donald Tramp, po dërgon rreth 200 pjesëtarë federalë të Gardës Kombëtare të Kalifornisë nga rajoni i Los Anxhelosit në Portland, Oregon, njoftoi mbrëmë Pentagoni, edhe pse të dy shtetet kishin ngritur padi të përbashkët në gjykatën federale për të bllokuar vendimin e tij.

Në një njoftim të shkurtër, Pentagoni theksoi se ushtarët "do t'i mbështesin Shërbimin e imigracionit dhe doganave të SHBA-së dhe zyrtarët e tjerë federalë në përmbushjen e detyrave të tyre zyrtare, përfshirë zbatimin e ligjit federal dhe mbrojtjen e pronës federale".

Njoftimi erdhi pasi një gjyqtar federal të shtunën vonë në mbrëmje e bllokoi përkohësisht Trampin të dërgojë 200 anëtarë të Gardës Kombëtare të Oregonit në qytetin Portland, duke theksuar mungesën e provave se protestat e fundit e justifikojnë një hap të tillë.

Anëtarët e Gardës Kombëtare janë forca të milicisë që veprojnë në nivel shtetëror dhe janë nën autoritetin e guvernatorëve të tyre, përveç rasteve kur thirren në shërbim federal.

Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Njusom, deklaroi se do ta padisë administratën e Trampit edhe pse ushtarët "tashmë janë rrugës". 

Mbrëmë vonë Kalifornia iu bashkua padisë federale ekzistuese të ngritur nga Oregoni, me qëllim që të bllokohet vendosja e trupave nga të dyja shtetet. 

"Ky është një abuzim tronditës me ligjin dhe pushtetin. Administrata e Trampit po e sulmon në mënyrë të paturpshme vetë sundimin e ligjit", theksoi Njusom në postimin në X, duke vlerësuar se do të dërgohen rreth 300 trupa. 

I pyetur për të sqaruar dallimin mes shifrave të Pentagonit dhe Njusomit, zëdhënësi i zyrës së guvernatorit të Kalifornisë tha se 300 ushtarë janë dërguar në Portland, ndërsa 200 tashmë janë rrugës. 

Gjyqtari federal më 2 shtator e kishte bllokuar administratën e Trampit të përdorte trupa amerikane në Kaliforni për të luftuar krimin, por ai vendim aktualisht është në pritje për shkak të apelit. 

Si rezultat i kësaj, trupat e Gardës Kombëtare që shkojnë në Oregon mbeten nën juridiksionin federal dhe nën komandën e Trampit. 

Vendosja në Oregon është shembulli më i fundit i përdorimit të zgjeruar të ushtrisë amerikane nga ana e Trampit gjatë mandatit të tij të dytë, përfshirë edhe vendosjen e trupave përgjatë kufirit me Meksikën dhe urdhërin për të vrarë të dyshuar për trafik droge në anije pranë Venezuelës. 

Garda Kombëtare është tashmë e vendosur në Los Anxhelos dhe Uashington, ndërsa Trampi tha se do të dërgojë trupa në një numër të madh qytetesh të tjera, pavarësisht kundërshtimeve nga autoritetet lokale.

Portlandi ka kundërshtuar përpjekjet e Trampit për ta federuar Gardën e tij Kombëtare, duke pretenduar se ai e ekzagjeron kërcënimin nga protestat kundër politikave të tij të emigracionit për të justifikuar në mënyrë të paligjshme marrjen nën kontroll të njësive shtetërore.

Shteti i Oregonit ka pohuar se vendosja e trupave nga Trampi shkel disa ligje federale si dhe të drejtën sovrane të shtetit për të mbikëqyrur qytetarët e vet.

Pasi iu bashkua padisë së Oregonit, prokurori i përgjithshëm i Kalifornisë, Rob Bonta, u tha gazetarëve se shpresojnë për një urdhër gjykate që nga mbrëmja e kaluar.

Por gjykatësja federale e qarkut të SHBA-së, Karin Imergut, të cilën Trampi e emëroi gjatë mandatit të tij të parë, të shtunën vendosi se, ndonëse presidentit duhet t’i jepet "besim i madh" në vendimet ushtarake, ai nuk mund t’i injorojë faktet në terren.

Administrata e Trampit të dielën dorëzoi një ankesë ndaj vendimit të gjykatëses Imergut, duke pretenduar se Gjykata e Lartë kishte vendosur para 200 vitesh se Kongresi i jep presidentit autoritetin për të thirrur anëtarë të Gardës Kombëtare.

Të shtunën, guvernatori i Illinoisit XH.B. Pricker, demokrat, në një postim në rrjetet sociale deklaroi se Trampi po përgatitet të dërgojë 300 anëtarë të Gardës Kombëtare në Çikago, pavarësisht kundërshtimit të tij. qa/

Foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR