Trampi dërgoi aeroplanë në hapësirën ajrore të Venezuelës për të luftuar kartelet e drogës
- Presidenti amerikan Donald Tramp konfirmoi se SHBA-ja është përfshirë në një "konflikt të armatosur" me kartelet e drogës, ndërsa qeveria venezueliane dje dënoi "ndëhyrjen e paligjshme" të aeroplanëve luftarakë amerikanë në hapësirën ajrore nën kontrollin e saj.
- Post By Qefsere Abduli
- 08:43, 3 tetor, 2025
Uashington, 3 tetor 2025 (MIA) - Presidenti amerikan Donald Tramp konfirmoi se SHBA-ja është përfshirë në një "konflikt të armatosur" me kartelet e drogës, ndërsa qeveria venezueliane dje dënoi "ndëhyrjen e paligjshme" të aeroplanëve luftarakë amerikanë në hapësirën ajrore nën kontrollin e saj.
Pentagoni dje dërgoi një letër në Kongres, në të cilën njofton se SHBA-ja është përfshirë në një "konflikt të armatosur" kundër karteleve të drogës, duke u justifikuar pasi ekspertët vunë në dyshim ligjshmërinë e vrasjes së tregtarëve të dyshuar të drogës pranë bregut të Venezuelës, në vend që t’i arrestonin dhe t’u sekuestronin mallrat.
Uashingtoni akuzon presidentin e Venezuelës, Nikolas Maduro dhe qeverinë e tij se drejtojnë një organizatë të madhe që eksporton drogë në SHBA dhe njoftoi se së fundmi kanë shkatërruar katër anije të cilat ishin shënjuar si "narko-terroristë", ku humbën jetën të paktën 17 persona.
Zyrtarisht, bëhet fjalë për një operacion kundër narkotikëve.
Venezuela "refuzon fuqishëm hyrjen e paligjshme" të aeroplanëve luftarakë "75 kilometra nga bregu ynë", njoftuan ministritë e mbrojtjes dhe të jashtme në një deklaratë të përbashkët, pa sqaruar nëse bëhet fjalë për shkelje të territorit të saj.
"Ky manovër përbën një provokim që kërcënon sovranitetin kombëtar dhe shkel normat e së drejtës ndërkombëtare dhe Konventën e Çikagos për aviacionin civil ndërkombëtar", theksohet në deklaratë. Para dy ditësh, ministri i mbrojtjes, Vladimir Padrino Lopez, deklaroi se "pesë aeroplanë luftarakë" "guxuan të afrohen pranë bregut të Venezuelës". qa/
Foto: EPA