• e mërkurë, 26 mars 2025

Tramp: Vizita e paralajmëruar në Grenlandë nuk është provokim

Tramp: Vizita e paralajmëruar në Grenlandë nuk është provokim

Uashington, 25 mars 2025 (MIA) - Presidenti amerikan, Donald Tramp mbrëmë ka bërë të ditur se vizita e pritshme e përfaqësuesve amerikanë në Grenlandë këtë javë nuk është provokim.

Trampi e bëri këtë deklaratë pas pretendimeve të kryeministrit të Grenlandës Mute Egede se është "ndërhyrje e huaj".

"Ky është një gjest miqësor, jo provokim. Ka shumë njerëz në Grenlandë që do të donin që diçka të ndodhë në mënyrë që të mbrohen dhe të kujdesen siç duhet. Ata vijnë tek ne, jo ne tek ata”, ka thënë Tramp, pa dhënë më shumë detaje.

Usha Vens, bashkëshorte e zëvendëspresidentit amerikan, Xhej Di Vens do ta kryesojë delegacionin që do të përfshijë edhe këshilltarin për Siguri kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Majk Uolc dhe Sekretarin e energjisë Kris Rajt që do të vizitojnë Grenlandën këtë fundjavë.

Uolc dhe Rajt planifikojnë të vizitojnë Qendrën hapësinore Pitufik, një bazë ushtarake amerikane në Grenlandë, ndërsa Shtëpia e Bardhë paralajmëroi më parë se ata do të marrin raporte dhe brifingje nga pjesëtarët e ushtrisë amerikane në bazë. Uolc dhe Rajt më pas do t'i bashkohen Vensit në vizitën në lokalitetet historike dhe të gjithë do të marrin pjesë në një garë me sajë të qenve.

Brajan Hjuz, zëdhënës i Këshillit të sigurisë kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, tha se delegacioni amerikan "është i bindur se kjo vizitë ofron një mundësi për të ndërtuar një partneritet që respekton vetëvendosjen e Grenlandës dhe avancon bashkëpunimin ekonomik".

"Kjo është një vizitë e organizuar me dëshirën për të njohur Grenlandën, kulturën, historinë dhe njerëzit e saj. Do të marrim pjesë në një garë me sajë të qenve të cilën SHBA-ja me krenari e sponsorizon", tha Hjuz.

Presidenti amerikan Donald Tramp ka paralajmëruar aneksimin e Grenlandës nga SHBA si një nga çështjet kryesore që kur ai mori detyrën për herë të dytë më 20 janar.

Lokacioni strategjik i Grenlandës dhe burimet e pasura minerale mund të jenë të dobishme për SHBA-në dhe ky territor gjysmë i pavarur danez ndodhet në rrugën më të shkurtër nga Evropa deri në Amerikën e Veriut e cila është thelbësore për sistemin amerikan të paralajmërimit nga sulmet e mundshme të raketave balistike.

Foto: arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR