Tramp: SHBA javën e ardhshme do të bisedojë me Iranin për programin e tij bërthamor
- Presidenti amerikan Donald Tramp, deklaroi se ka gjasa të kërkojë nga Irani që ta ndërpresë programin e tij bërthamor në bisedimet e javës së ardhshme, duke shtuar se falë sulmeve të SHBA-së ndaj Iranit, lufta midis Izraelit dhe Teheranit përfundoi shpejt.
- Post By Fami Bajrami
- 08:22, 26 qershor, 2025
Uashington, 26 qershor 2025 (MIA) - Presidenti amerikan Donald Tramp, deklaroi se ka gjasa të kërkojë nga Irani që ta ndërpresë programin e tij bërthamor në bisedimet e javës së ardhshme, duke shtuar se falë sulmeve të SHBA-së ndaj Iranit, lufta midis Izraelit dhe Teheranit përfundoi shpejt.
Trampi tha se vendimi i tij për të përdorur bomba për shkatërrimin e bunkerëve në sulmin e së dielës shkatërroi programin bërthamor të Iranit, duke shtuar se kjo është "fitore për të gjithë".
"Ai ishte shkatërrim total", tha ai, duke hedhur poshtë vlerësimin fillestar të Agjencisë së inteligjencës së mbrojtjes së SHBA-së se Iranit do t'i duheshin vetëm disa javë për të rinovuar programin e tij bërthamor.
Trampi në samitin e NATO-s në Hagë deklaroi se nuk mendon se Irani do të përpiqet të zhvillojë përsëri armë bërthamore.
Irani me dekada të tëra ka mohuar akuzat e liderëve perëndimorë se dëshiron të prodhojë armë bërthamore.
"Do të diskutojmë javën tjetër me Iranin. Mund të nënshkruajmë marrëveshje. Nuk e di. Nuk mendoj se është e nevojshme", tha Trampi.
Drejtori i CIA-s, Xhon Ratklif, më vonë publikoi se informacionet konfidenciale të inteligjencës tregonin se programi bërthamor i Iranit kishte pësuar dëme të konsiderueshme në sulmet e fundit amerikane, por nuk tha se programi është shkatërruar.
"Informacionet e reja të inteligjencës nga një burim/metodë historikisht e besueshme dhe e saktë tregojnë se janë shkatërruar disa nga objektet kryesore bërthamore të Iranit dhe se do të duhen vite për t'i rinovuar ato", tha Ratklif.
Agjencia bërthamore izraelite vlerësoi se sulmet "për shumë vite e kanë penguar aftësinë e Iranit për të zhvilluar armë bërthamore".
Shtëpia e Bardhë, gjithashtu, transmetoi vlersimin izraelit, edhe pse Trampi tha se nuk po mbështetet në informacionet e inteligjencës izraelite.
Trampi tha se ishte i bindur se Teherani do të vazhdonte të ndiqte rrugën diplomatike drejt paqes. Ai nuk dha detaje për atë se ku duhet të mbahen bisedimet javën e ardhshme ose kush do të merrte pjesë në ato bisedime.
Përderisa Irani përpiqet të rinovojë programin e tij bërthamor, "ne nuk do ta lejojmë këtë", tha ai. rq/
Foto: arkivi i MIA-s