• e hënë, 23 dhjetor 2024

Tramp refuzoi ftesën e Zelenskit për të vizituar Ukrainën

Tramp refuzoi ftesën e Zelenskit për të vizituar Ukrainën

Uashington, 7 nëntor 2023 (MIA) - Ish presidenti amerikan, Donald Tramp ka refuzuar një ftesë nga presidenti ukrainas Volodimir Zelenski për të vizituar Ukrainën për të parë shkallën e sulmeve ruse, duke shtuar se ai e respekton Zelenskin, por se një vizitë e tillë do të ishte "e papërshtatshme" në këtë kohë.

"Kam respektin më të madh për presidentin Zelenski, por mendoj se do të ishte e papërshtatshme për mua të shkoja në Ukrainë në këtë kohë", tha Tramp, raportoi "Njuzmaks" (Newsmax).

Sipas Trampit, administrata e presidentit amerikan Xho Bajden "aktualisht po merret" me Zelenskin dhe për këtë arsye ai nuk do të dëshironte "të krijonte një konflikt interesi".

Zelenski e ftoi Trampin të vizitonte Ukrainën pasi ish presidenti amerikan tha se mund t'i jepte fund luftës së Rusisë kundër Ukrainës brenda 24 orëve nëse fiton zgjedhjet e vitit të ardhshëm.

Në një intervistë për En-Bi-Si, Zelenski vuri në dyshim pretendimin e Trampit dhe e ftoi atë të vizitojë Ukrainën për të parë vetë shkallën e pushtimit rus.

"Nëse ai mund të vijë këtu, do të më duhen 24 minuta - po, 24 minuta... për t'i shpjeguar presidentit Tramp se ai nuk mund ta menaxhojë këtë luftë. Ai nuk mund të sjellë paqe për shkak të (Presidentit rus Vladimir) Putin", tha Zelenski.

Tramp pretendoi për Si-En-En në maj se lufta nuk do të kishte ndodhur nëse ai do të kishte qenë president kur filloi pushtimi rus në shkallë të gjerë dhe se ai mund ta zgjidhte konfliktin brenda një dite nëse rizgjedhet.

"Do të takohem me Putinin". Do të takohem me Zelenskin. Ata të dy kanë dobësi dhe kanë pika të forta. Dhe brenda 24 orëve, ajo luftë do të zgjidhet", tha Tramp në atë kohë. sa/

foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR