Tramp: Pata një "bisedë shumë të mirë" me Putinin për Ukrainën dhe Lindjen e Mesme
- Presidenti amerikan Donald Tramp deklaroi se ka biseduar me homologun e tij rus Vladimir Putin për luftën në Ukrainë dhe për gjendjen në Lindjen e Mesme.
- Post By Qefsere Abduli
- 08:43, 10 mars, 2026
Uashington, 10 mars 2026 (MIA) - Presidenti amerikan Donald Tramp deklaroi se ka biseduar me homologun e tij rus Vladimir Putin për luftën në Ukrainë dhe për gjendjen në Lindjen e Mesme.
Tramp mbrëmë u tha gazetarëve se më herët gjatë ditës ka pasur "shumë bisedë të mirë" me Putinin.
"Ka një urrejtje të madhe mes presidentit Vladimir Putin dhe presidentit (ukrainas) Volodimir Zelenski. Të dy madje nuk mund as ta shikojnë njëri-tjetrin, por mendoj se biseda për këtë temë ishte pozitive", tha Donald Tramp.
Ai shtoi se Putini "dëshiron të jetë i dobishëm" në zgjidhjen e konfliktit me Iran.
"I thashë: "Mund të jesh më i dobishëm nëse i jep fund luftës mes Ukrainës dhe Rusisë. Kjo do të ishte më e dobishme" deklaroi Trampi në një konferencë për mediat në klubin e tij të golfit në Florida.
Këshilltari i Kremlinit për politikë të jashtme, Jurij Ushakov, e vlerësoi bisedën si "shumë thelbësore", duke shtuar se "me gjasë do të ketë rëndësi praktike për punën e ardhshme mes të dyja palëve".
Sipas tij, Putini paraqiti disa ide të drejtuara drejt një zgjidhjeje të shpejtë politike dhe diplomatike të konfliktit në Iran, duke përfshirë edhe mbi bazën e kontakteve që ai ka pasur me liderë të vendeve të Gjirit Persik, me presidentin iranian dhe me udhëheqës të shteteve të tjera.
Ushakov tha se edhe Trampi, gjithashtu, e paraqiti vlerësimin e tij për zhvillimin e operacionit amerikano-izraelit.
"U zhvillua një shkëmbim shumë thelbësor dhe, pa dyshim, i dobishëm i ideve", theksoi ai.
Ushakov shtoi se Trampi mendon se "zgjidhja e shpejtë e konfliktit në Ukraina me një armëpushim dhe një zgjidhje afatgjatë" është në interes të SHBA-së.
Ai theksoi se forcat ruse "po përparojnë mjaft me sukses" në front dhe se kjo duhet ta nxisë Kiev që të fillojë negociata për zgjidhjen e konfliktit.
Dy presidentët biseduan edhe për situatën në Venezuela.
I dërguari special i presidentit rus për bashkëpunim investues dhe ekonomik me vendet e huaja, Kiril Dmitriev, njoftoi se biseda telefonike zgjati një orë.
"U shqyrtuan zgjidhje të mundshme për Ukraina dhe për konfliktin iranian", shkroi ai në rrjetin social X. qa/
Foto: EPA