Tramp paralajmëron sulme të mundshme tokësore në Amerikën Latine kundër karteleve të drogës
- Presidenti amerikan, Donald Tramp, deklaroi se administrata e tij mund të fillojë "shumë shpejt" sulme tokësore kundër objektivave të dyshuara për trafik droge në të gjithë Amerikën Latine, pa specifikuar se kur dhe ku do të kryheshin këto sulme.
- Post By Qefsere Abduli
- 13:04, 3 dhjetor, 2025
Uashington, 3 dhjetor 2025 (MIA) - Presidenti amerikan, Donald Tramp, deklaroi se administrata e tij mund të fillojë "shumë shpejt" sulme tokësore kundër objektivave të dyshuara për trafik droge në të gjithë Amerikën Latine, pa specifikuar se kur dhe ku do të kryheshin këto sulme.
"Do të fillojmë t’i kryejmë këto sulme edhe në tokë. I dimë rrugët e tyre, dimë gjithçka për ta, e dimë ku jetojnë. Ku jetojnë më të rrezikshmit. Dhe do të fillojmë me këtë shumë shpejë", tha Trampi gjatë një seance qeveritare, raportoi Si-Bi-Njuz.
Trampi nuk tha se kur mund të fillonin sulmet ose ku do të kryheshin.
Gjatë javëve të kaluara, sipas raporteve të mediave amerikane, është diskutuar për operacione të mundshme ushtarake në Venezuelë, megjithëse Karakasi i mohon akuzat e Uashingtonit se presidenti i Venezuelës Nikolas Maduro bashkëpunon me kartelët e drogës.
Trampi tha se sulmet nuk do të kufizohen vetëm në Venezuelë dhe se "çdo vend ku prodhohet ose transportohet drogë" është një objektiv i mundshëm, duke e veçuar posaçërisht Kolumbinë, për të cilën SHBA-ja thotë se nuk e kontrollon siç duhet tregtinë e drogës.
Sulmet e mundshme ndaj territoreve të vendeve të Amerikës Latine do t’i zgjeronin ndjeshëm operacionet e administratës kundër narkotikëve, të cilat deri tani kanë goditur më shumë se 20 anije në Karaibe dhe Paqësor, duke shkaktuar vdekjen e mbi 80 personave. qa/
Foto: Arkivi i MIA-s