Tramp njoftoi tarifa të reja shtesë prej 100 për qind për importin nga Kina
- Presidenti amerikan Donald Tramp njoftoi sot se SHBA-ja do të vendosë tarifa të reja shtesë prej 100 për qind për importin nga Kina, si dhe kufizime në eksportin e produkteve teknologjike.
- Post By Sara Ademi
- 09:43, 11 tetor, 2025
Uashington, 11 tetor 2025 (MIA) - Presidenti amerikan Donald Tramp njoftoi sot se SHBA-ja do të vendosë tarifa të reja shtesë prej 100 për qind për importin nga Kina, si dhe kufizime në eksportin e produkteve teknologjike.
"Kemi mësuar se Kina ka mbajtur një qëndrim jashtëzakonisht agresiv ndaj tregtisë dhe i ka dërguar një letër shumë armiqësore botës, duke njoftuar se duke filluar nga 1 nëntori 2025, do të vendosë kontrolle të gjera të eksportit për pothuajse të gjitha produktet që prodhon - dhe disa që as nuk i prodhon", shkroi Trampi në platformën Truth Soushël.
"Duke filluar nga 1 nëntori 2025 (ose më herët, varësisht nga veprimet e Kinës), SHBA-ja do të vendosë një tarifë shtesë prej 100 për qind për të gjitha produktet kineze, përveç tarifave ekzistuese. Në të njëjtën kohë, ne do të vendosim gjithashtu kontrolle të eksportit për të gjithë softuerët kritikë", shtoi ai.
Më herët të mërkurën, Trampi shprehu dyshime në mediat sociale nëse një takim i planifikuar me presidentin kinez do të zhvillohej, pasi Pekini thuhet se u dërgoi letra disa vendeve duke njoftuar kufizime në eksportin e metaleve të rralla tokësore dhe materialeve të tjera. Trampi tha se "nuk duket se ka arsye" për t'u takuar me presidentin kinez Si Xhinping gjatë vizitës së tij në Korenë e Jugut.
"Kjo erdhi nga askund", tha Trampi, duke shtuar se lëvizje të tilla mund të paralizojnë tregtinë botërore dhe të dëmtojnë një numër të madh vendesh. Ai tha se Kina po bëhet gjithnjë e më "armiqësore".
Trampi dhe Si ishte planifikuar të takoheshin në margjinat e samitit të Bashkëpunimit Ekonomik Aziatik-Paqësor (APEK), i cili fillon në fund të tetorit.
Mbrëmë, Trampi u tha gazetarëve në Zyrën Ovale se takimi nuk ishte anuluar ende.
Pas një pauze disamujore në kontestin tregtar midis dy vendeve, në prill SHBA dhe Kina rivendosën tarifat prej më shumë se 100 përqind ndaj njëra-tjetrës.
Të enjten, Pekini njoftoi se po zgjeron kufizimet në eksportin e metaleve të rralla tokësore, materiale kritike për industrinë amerikane. Sipas Ministrisë së Tregtisë të Kinës, teknologjitë dhe ekspertiza për nxjerrjen dhe përpunimin e këtyre materialeve në të ardhmen do të mund të ndahen vetëm me miratimin e autoriteteve.
Për herë të parë, kufizimet do të mbulojnë edhe produktet nga jashtë Kinës që përmbajnë metale të rralla tokësore me origjinë kineze ose përdorin procese prodhimi kineze. Kompanitë që eksportojnë produkte të tilla do të duhet të marrin leje nga autoritetet kineze që nga 1 dhjetori.
Kina gjithashtu prezantoi kufizime të reja për pesë metale të tjera të rralla, duke e çuar numrin e përgjithshëm të materialeve të prekura në 12, si dhe disa materiale baterish dhe produkte grafiti, të cilat hyjnë në fuqi më 8 nëntor.
Kina është prodhuesi më i madh në botë i metaleve të rralla të tokës, thelbësore për shumë pajisje moderne. sa/
foto: EPA