Tramp: Na nevojitet Grenlanda për shkak të sigurisë kombëtare
- Presidenti amerikan Donald Tramp e ka përsëritur interesimin e SHBA-së për të ndërmarrë kontrollin ndaj Grenlandës, e cila është territor pjesërisht autonom nën sovranitetin e Danimarkës.
- Post By Qefsere Abduli
- 09:11, 5 mars, 2025

Uashington, 5 mars 2025 (MIA) - Presidenti amerikan Donald Tramp e ka përsëritur interesimin e SHBA-së për të ndërmarrë kontrollin ndaj Grenlandës, e cila është territor pjesërisht autonom nën sovranitetin e Danimarkës.
Në fjalimin e tij të parë para dy dhomave të Kongresit amerikan pas kthimit në detyrë, Trampi iu drejtua qytetarëve të Grenlandës, duke thënë: Fuqishëm e mbështesim të drejtën e juaj për të përcaktuar të ardhmen e juaj. Dhe nëse vendosni, mirë se vini në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Na nevojitet Grenlanda për sigurinë kombëtare - madje edhe për sigurinë ndërkombëtare. Po punojmë me të gjitha palët e interesuara për ta arritur këtë.
Prej se përsëri e mori detyrën më 20 janar, Trampi ka bërë disa deklarata të forta dhe ndonjëherë radikale për marrjen e kontrollit të Grenlandës, që është ishulli më i madh në botë.
Për dallim nga viti 2019, kur propozoi blerjen e ishullit gjatë mandatit të tij të parë presidencial, tani deklaratat e tij po merren më seriozisht, si nga Danimarka, ashtu edhe nga autoritetet e Grenlandës. Tramp nuk e përjashtoi mundësinë e përdorimit të mjeteve ushtarake apo ekonomike për të arritur këtë qëllim. Edhe SHBA-ja edhe Danimarka janë anëtare të NATO-s.
Autoritetet në Grenlandës shumë herë kanë theksuar se është e mundur të kërkohet pavarësia nga Danimarka, por ata nuk duan të bëhen pjesë e SHBA-së.
Aktualisht, Grenlanda në mënyrë të pavarur menaxhon punët e brendshme, ndërsa mbrojtja dhe punët e jashtme janë nën kontroll të Kopenhagës. Territori varet kryesisht nga mbështetja ekonomike nga Danimarka. qa/bsh/
Foto: MIA arkiv