Tramp: Mendoj se Rusia gabimisht e granatoi qendrën e qytetit në Sumi
- Dy raketa balistike ruse dje goditën qendrën e qytetit verior të Ukrainës Sumi ku u vranë të paktën 34 persona, ndërsa u lënduan 117, në sulmin më vdekjeprurës në Ukrainë këtë vit, kumtuan autoritetet ukrainase. Ndaj sulmit reagoi dhe Trampi. Ai tha se sulmi rus mbi Sumin ishte i tmerrshëm.
- Post By Fami Bajrami
- 09:00, 14 prill, 2025

Uashington, 14 prill 2025 (MIA) - Dy raketa balistike ruse dje goditën qendrën e qytetit verior të Ukrainës Sumi ku u vranë të paktën 34 persona, ndërsa u lënduan 117, në sulmin më vdekjeprurës në Ukrainë këtë vit, kumtuan autoritetet ukrainase. Ndaj sulmit reagoi dhe Trampi. Ai tha se sulmi rus mbi Sumin ishte i tmerrshëm.
"Mendoj se është e tmerrshme. Më thanë se bënë gabim, por mendoj se është e tmerrshme. Mendoj se e gjithë lufta është një gjë e tmerrshme. Mendoj se fillimi i asaj lufte ishte keqpërdorim i forcës. SHBA nuk do të kishin lejuar kurrë që ajo luftë të fillonte nëse unë do të isha president. Ajo luftë është marrëzi", u tha ai gazetarëve në aeroplanin presidencial Air Force One në kthimin për në Uashington.
I pyetur për të sqaruar se çfarë donte të thoshte me "gabimin", Trampi tha: "Ata bënë një gabim... ju duhet t'i pyesni", pa precizuar se kujt i referohej saktësisht dhe çfarë lloj gabimi ishte.
"Kjo është lufta e Bjadenit. Kjo nuk është lufta ime", tha ai, duke iu referuar ish presidentit Xho Bajden, duke shtuar: "Thjesht po përpiqem ta ndal këtë luftë në mënyrë që të mund të shpëtojmë shumë jetë".
Sumi, me një popullsi prej rreth një çerek milion njerëz, ndodhet vetëm 25 kilometra nga kufiri rus. Kryetari i komunës së Sumit, Artem Kobzar, prej sot ka shpallur tre ditë zie për viktimat.
Andrij Kovalenko, madje përfaqësues zyrtar i sigurisë i cili drejton Qendrën e Ukrainës për luftimin kundër dezinformimit, tha se sulmi ndodhi pas një vizite në Rusi nga i dërguari i posaçëm amerikan Stiv Uitkof, ku u takua me përfaqësues të lartë, duke përfshirë dhe presidentin Vlladimir Putin. rq/
Foto: arkivi i MIA-s