• e shtunë, 31 maj 2025
Shqip
  • English
  • Shqip
  • Македонски

Tramp i rrit tarifat ndaj Kinës në 125 për qind, por paralajmëron pauzë 90-ditore për vendet e tjera

Tramp i rrit tarifat ndaj Kinës në 125 për qind, por paralajmëron pauzë 90-ditore për vendet e tjera

Uashington, 9 prill 2025 (MIA) - Presidenti amerikan, Donald Tramp, kumtoi se po i rrit “menjëherë” tarifat amerikane për importet nga Kina në 125 për qind, “për shkak të mungesës së respektit që Kina ka treguar ndaj tregjeve botërore”.

Por, Tramp në të njëjtin postim në "Truth Social" thotë se ka "autorizuar një pauzë 90-ditore" për vendet e tjera, duke treguar, siç thotë, se më shumë se 75 vende janë dakorduar të negociojnë. Deri atëherë, tarifat për ata do të jenë 10 për qind.

"Bazuar në mungesën e respektit që ka treguar Kina për tregjet botërore, unë po i rris tarifat që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i paguajnë Kinës në 125 për qind, në fuqi menjëherë. Në një moment, shpresojmë se në të ardhmen e afërt, Kina do të kuptojë se ditët e saj të mashtrimit të Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera nuk janë më të qëndrueshme ose të pranueshme. Nga ana tjetër, dhe bazuar në faktin se më shumë se 75 vende kanë kontaktuar përfaqësues të SHBA-së, duke përfshirë ministritë e Tregtisë, Financave dhe Zyrën e Përfaqësuesit të Tregtisë së SHBA-së, për të negociuar për zgjidhje për çështjet që diskutohet në lidhje me tregtinë, barrierat tregtare, tarifat, manipulimin me valuta dhe tarifa jomonetare, dhe se këto vende, me sugjerimin tim të fortë, nuk janë përgjigjur në asnjë mënyrë apo formë kundër Shteteve të Bashkuara, unë kam autorizuar një PAUZË 90-ditore dhe një tarifë reciproke të reduktuar dukshëm gjatë kësaj periudhe, prej 10 për qind, gjithashtu në fuqi menjëherë. Faleminderit për vëmendjen tuaj për këtë çështje! ”, ka shkruar Tramp pak më parë në rrjetin e tij social.

Më herët gjatë ditës së sotme, Kina paralajmëroi se duke filluar nga nesër do të vendosë tarifa shtesë për mallrat amerikane në masën prej 84 për qind, që është një rritje prej 50 për qind krahasuar me tarifat e mëparshme kineze.

Vendimi erdhi pasi SHBA vendosi një tarifë shtesë prej 50 për qind për mallrat kineze në fillim të kësaj jave. Kjo pason pas dy masave të mëparshme, prej 34 për qind dhe 20 për qind, kështu që tarifa totale e SHBA-së për eksportet kineze sot ishte 104 për qind. ls/

Foto: Printskrin 

 

QËNDRONI TË LIDHUR