• e hënë, 23 dhjetor 2024

Tramp e uroi Putinin për një tjetër “gjë të madhe” – lirimin e vrasësve

Tramp e uroi Putinin për një tjetër “gjë të madhe” – lirimin e vrasësve

Uashington, 4 gusht 2024 (MIA) - Ish-presidenti amerikan, Donald Tramp, mbrëmë ka uruar presidentin rus Vladimir Putin për shkëmbimin e madh të të burgosurve mes Rusisë, Bjellorusisë dhe disa vendeve perëndimore.

"Dëshiroj të uroj Vladimir Putinin për një tjetër gjë të madhe, tha kandidati republikan për president gjatë fushatës së tij në Atlanta, në shtetin amerikan Xhorxhia.

“Ata lanë të lirë disa nga vrasësit më të mëdhenj në botë”, tha Tramp.

"Ata kthyen disa nga vrasësit më të këqij. Ne i kthyem njerëzit tanë, por njeri, bëmë disa marrëveshje të tmerrshme, të tmerrshme. Dhe është bukur të thuash që i kemi kthyer, por a është bërë me këtë një precedent i keq?, pyeti ai.

Në shkëmbimin e të burgosurve midis Rusisë dhe Perëndimit, është liruar gazetari Gershkoviç, por edhe vrasësi me pagesë Krasikov.

Në një shkëmbim të paprecedentë të burgosurish, Rusia dhe Bjellorusia liruan 16 persona të cilët ishin burgosur, ndër të tjera, për punën dhe aktivizmin e tyre gazetaresk.

Në këmbim, 10 persona iu dorëzuan Moskës nga burgjet në vende të ndryshme perëndimore.

Disa vende u përfshinë në shkëmbimin, me ç'rast dy qytetarë amerikanë të profilit të lartë - reporteri i "Uollstrit zhurnall" Evan Gershkoviç dhe ish-marinsi amerikan Poll Villan -  u kthyen në shtëpi.

Si pjesë e marrëveshjes, u lirua edhe rusi Vadim Krasikov, i cili u dënua me burgim të përjetshëm në Gjermani për vrasjen e një burri gjeorgjian me origjinë çeçene në vitin 2021 në zemër të Berlinit.

Marrëveshja u arrit nga qeveria e presidentit amerikan Xho Bajden, me ndihmën e Gjermanisë dhe aleatëve të tjerë.

Trump vuri në dukje rekordin e tij të kthimit të qytetarëve amerikanë të mbajtur në burgjet jashtë vendit gjatë presidencës së tij, duke theksuar "unë kurrë nuk kam paguar asgjë".

Kandidati republikan për president tashmë e sulmoi marrëveshjen e madhe me Rusinë pak pasi lajmi u publikua të enjten, dhe pa asnjë provë nënkuptonte se ishin paguar para për ta arritur atë. ls/

Foto: Arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR