Tramp: E shpëtoj Ukrainën, nëse lufta me Rusinë vazhdon ajo shumë shpejt do të shkatërrohet
- Presidenti amerikan Donald Tramp ka deklaruar sot se beson se po e shpëton Ukrainën dhe se beson se nëse lufta me Rusinë vazhdon, ky vend do të shkatërrohet shumë shpejt.
- Post By Melahat Baftija
- 18:49, 29 prill, 2025
Uashington, 29 prill 2025 (MIA) - Presidenti amerikan Donald Tramp ka deklaruar sot se beson se po e shpëton Ukrainën dhe se beson se nëse lufta me Rusinë vazhdon, ky vend do të shkatërrohet shumë shpejt.
"Mendoj se po e shpëtoj këtë komb. Mendoj se ky komb do të shkatërrohet së shpejti. Kjo është një makineri e madhe ushtarake", tha Tramp në një intervistë me portalin Atlantik, duke shënuar 100 ditët e para të mandatit të presidentit amerikan.
Ai përkujtoi se gjatë mandatit të tij të parë si president i SHBA-së, i ka dhënë Kievit raketa ujore antitank "xhavelin".
Le të jemi realistë. Dhe po të mos isha unë - unë jam ai që u dhashë atyre "xhavelinat" që shkatërruan tanket. E dini, ai moment me tanket ishte një moment i madh, kur tanket (ruse) ngecën në baltë, dhe unë u dhashë atyre (ukrainasve) një numër të madh "xhavelinë". Këto janë raketa antitank. E dini, ky është një moment i madh, sepse nëse ato tanke erdhën, dhe ishin 71 milje larg Kievit dhe donin ta merrnin Kievin. Ky do të ishte fundi i luftës, do të kishte mbaruar brenda një dite", tha Tramp.
Ai tha se ndihma amerikane në atë kohë në formën e ofrimit të "xhavelinëve" për Ukrainën ishte "një nga arsyet" pse lufta në Ukrainë vazhdoi.
"Tani, mund të pohoj se është për të ardhur keq që vazhdoi, sepse shumë njerëz u vranë. Shumë më tepër njerëz u vranë në këtë luftë sesa raportohet. Jo vetëm ushtarë. Ka shumë ushtarë, por edhe shumë njerëz të tjerë. Dhe, e dini, mund të them me të vërtetë se kam qenë shumë i mirë sepse po e shpëtoj këtë vend", tha Tramp.
Ai shtoi se beson se po i "bën një shërbim të madh Ukrainës" duke marrë pjesë aktive në negociatat me Rusinë për të arritur armëpushim.
Tramp përsëriti se "lufta në Ukrainë nuk do të kishte ndodhur kurrë" nëse do të kishte qenë ai president i SHBA-së në katër vitet e mëparshme. mb/
Foto: MIA