Tramp: Do të vendos sanksione ekonomike ndaj Rusisë nëse Putini nuk pranon armëpushim
- Presidenti i SHBA-së, Donald Tramp, tha se ishte i përgatitur të vendoste sanksione ekonomike ndaj Rusisë nëse presidenti rus, Vladimir Putin, nuk pranonte armëpushim, duke paralajmëruar për pasoja serioze.
- Post By Sara Ademi
- 08:31, 27 gusht, 2025
Uashington, 27 gusht 2025 (MIA) - Presidenti i SHBA-së, Donald Tramp, tha se ishte i përgatitur të vendoste sanksione ekonomike ndaj Rusisë nëse presidenti rus, Vladimir Putin, nuk pranonte armëpushim, duke paralajmëruar për pasoja serioze.
"Duam që kjo të marrë fund. Kemi sanksione ekonomike. Po flas për sanksione ekonomike sepse nuk do të hyjmë në një luftë botërore", tha Tramp.
Tramp nuk caktoi një afat të ri kohor për zbatimin e sanksioneve nëse lufta në Ukrainë nuk ndalet, raportoi Si-En-En.
"Nuk do të ketë luftë botërore, por do të ketë një luftë ekonomike. Do të jetë keq për Rusinë", tha Tramp.
Ai shfaqi shpresën se ende ka një rrugë drejt ndërmjetësimit për arritjen e një marrëveshjeje për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Tramp theksoi gjithashtu përsëri se presidenti ukrainas Volodimir Zelenski mban një pjesë të fajit për konfliktin.
"Ajo që mendoja se do të ishte gjëja më e lehtë, doli të ishte më e vështira", tha Tramp për luftën në Ukrainë, duke shtuar se ai ende mendon se mund të ndihmojë në përfundimin e konfliktit.
Tramp ka kërcënuar disa herë se do të vendosë sanksione kundër Rusisë nëse ajo nuk i jep fund luftës në Ukrainë dhe nuk përcakton një afat kohor për ta bërë këtë, por më vonë i ka zgjatur ato, kujton Si-En-En. sa/
foto: MIA