Tramp dhe Erdogani me telefoin kanë biseduar për Ukrainën, Sirinë dhe Gazën
- Presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan sot ka pasur bisedë telefonike me presidentin amerikan, Donald Tramp, njoftoi Anadolia.
- Post By Besnik Shuki
- 20:14, 5 maj, 2025
Ankara, 5 maj 2025 (MIA) - Presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan sot ka pasur bisedë telefonike me presidentin amerikan, Donald Tramp, njoftoi Anadolia.
Erdogan theksoi se Turqia do të vazhdojë të punojë në përforcimin e bashkëpunimit me SHBA-në në disa sfera, posaçërisht në sektorin mbrojtës, njofton agjencia.
Presidenti i Turqisë theksoi gjithashtu se kriza humanitare në Rripin e Gazës ka arritur përmasa brengosëse, me ç'rast ka shprehur gatishmëri që Turqia të dërgojë ndihmë humanitare për popullatën e prekur.
Tramp deklaroi se ai dhe Erdogani patën një “bisedë shumë produktive dhe të vlefshme” për situatën në Ukrainë, Siri dhe Gazë, sipas mediave amerikane.
Presidenti amerikan konfirmoi se Erdogan do të vizitojë Uashingtonin, ndërsa edhe ai mori ftesë për të vizituar Turqinë.
"Pres me padurim të punoj me presidentin Erdogan për t'i dhënë fund luftës absurde, por vdekjeprurëse midis Rusisë dhe Ukrainës - MENJËHERË!", shkroi Tramp në rrjetet sociale. bsh/
Foto: Arkiv