• e mërkurë, 10 dhjetor 2025

Toni Bler nuk do të jetë pjesë e këshillit paqësor të Trampit për Gazën

Toni Bler nuk do të jetë pjesë e këshillit paqësor të Trampit për Gazën

Londër, 9 dhjetor 2025 (MIA) – Ish kryeministri britanik Toni Bler nuk do të jetë pjesë e “bordit të paqes” për Gazën, të konceptuar nga presidenti amerikan Donald Tramp, kumtuan burime të njohura me situatën, duke shtuar se Bleri u largua pas kundërshtimeve nga disa vende arabe dhe myslimane, shkruan "Fajnenshëll Tajms".

Emri i Blerit ishte i vetmi që Trampi përmendi në fund të shtatorit kur prezantoi planin e tij prej 20 pikash për t'i dhënë fund luftës midis Izraelit dhe Hamasit, duke e quajtur atëherë “një njeri shumë të mirë”.

Bleri e përshkroi planin e Trampit si “të guximshëm dhe inteligjent” dhe paralajmëroi se do ta pranonte me kënaqësi një rol në bordin e kryesuar nga presidenti amerikan.

Disa vende arabe dhe myslimane e kundërshtuan emërimin e Blerit për shkak të reputacionit të tij të dëmtuar në Lindjen e Mesme që del nga mbështetja e tij e fortë për invazionin e Irakut të udhëhequr nga SHBA-të në vitin 2003. Ekzistonte gjithashtu frika se palestinezët do të margjinalizoheshin në një strukturë të tillë qeverisëse.

Nga kabineti i Blerit kanë refuzuar të komentojnë mbi situatën, por një aleat i tij i hodhi poshtë pretendimet se ish kryeministri nuk do të jetë në "bordin e paqes" për shkak të kundërshtimit nga rajoni, duke ofruar një shpjegim të ndryshëm.

"Ai do të jetë një nga liderët aktual botëror, ndërsa nën te do të ketë një bord ekzekutiv më të vogël", tha aleati duke argumentuar se Bleri, si ish kryeministër nuk kualifikohet për bordin kryesor.

Sipas të njëjtit burim, Bleri pritet megjithatë të ulet në bordin ekzekutiv, së bashku me dhëndrin e Trampit, Xhared Kushner dhe këshilltarin Stiv Uitkof, si dhe zyrtarë të lartë nga vendet arabe dhe perëndimore.

Mundësia e rezistencës ndaj emërimit të Blerit u pranua nga vetë Trampi në tetor kur deklaroi: "Gjithmonë më ka pëlqyer Toni, por dua të zbuloj nëse ai është një zgjedhje e pranueshme për të gjithë".

Foto: arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR