• e shtunë, 21 dhjetor 2024

TikTok-u para gjykatës federale amerikane konteston pohimet e SHBA-së për lidhje me qeverinë kineze

TikTok-u para gjykatës federale amerikane konteston pohimet e SHBA-së për lidhje me qeverinë kineze

Uashington, 16 gusht 2024 (MIA) - Platforma TikTok ka kontestuar para gjykatës federale amerikane pretendimet e Ministrisë së Drejtësisë së SHBA-së se ky rrjet social ka lidhje me qeverinë kineze, duke kërkuar nga gjykata të shfuqizojë ligjin ku kërkohet që pronari i TikTok-ut, kompania kineze "Bajt Dens" (Byte-Dance) t'i shesë mjetet e platformës në SHBA ose do të përballet me ndalesë.

TikTok dje kumtoi se Ministria e Drejtësisë së SHBA-së gabimisht pohon se aplikacioni paraqet një kërcënim për sigurinë kombëtare të SHBA-së sepse mund t'i lejojë qeverisë kineze të mbledhë të dhëna për amerikanët dhe të manipulojë fshehurazi përmbajtjen në rrjetet sociale, transmetojnë mediat britanike.

Sipas ligjit, të nënshkruar nga presidenti amerikan Xho Bajden më 24 prill, Bajt Dens ka afat deri më 19 janar për të shitur TikTok-un ose do të përballet me ndalesë.

Shtëpia e Bardhë kumtoi se dëshiron që TikTok-u të mos jetë më në pronësi të një kompanie me bazë në Kinë për shkak të shqetësimeve të sigurisë kombëtare të amerikanëve dhe nuk dëshiron ta ndalojë platformën.

Gjykata e Apelit me 16 shtator do të mbajë seancë për çështjen e TikTok-ut.

Kandidati republikan për president Donald Tramp në qershor deklaroi se kurrë nuk do të mbështesë ndalesën e TikTok-ut.

Zëvendëspresidentja amerikane dhe kandidatja për presidente nga radhët e demokratëve, Kamalla Haris, në qershor iu bashkua platformës TikTok, si pjesë e fushatës parazgjedhore. rq/

Foto: arkivi i MIA-s



QËNDRONI TË LIDHUR