Tensione në Los Anxhelos pas aksioneve federale kundër emigrantëve
- – Policia u përlesh me demonstruesit në qendrën e Los Anxhelosit, mbrëmë në fund të ditës së masave federale kundër emigrantëve në të cilat ishin arrestuar dhjetëra njerëz përgjatë gjithë qytetit.
- Post By Fitore Curri
- 11:40, 7 qershor, 2025
Los Angjelos, 7 qershor 2025 (MIA) – Policia u përlesh me demonstruesit në qendrën e Los Anxhelosit, mbrëmë në fund të ditës së masave federale kundër emigrantëve në të cilat ishin arrestuar dhjetëra njerëz përgjatë gjithë qytetit.
Një video nga ngjarjet tregon si policia është rreshtuar në rrugë në qendrën e Los Anxhelosit, duke mbajtur shufra dhe gaz lotsjellës, duke u përballur me demonstruesit.
Në fillim të konfrontimit, disa demonstrues hidhnin copë betoni ndaj policëve, ndera policia u përgjigj me gaz lotsjellës dhe spërkatës me biber.
Nëpunësit e policisë, gjithashtu, përdorën shok bomba. Nuk është e qartë nëse ka pasur arrestime.
Zëdhënësi i policisë në Los Anxhelos, Drejk Medison, deklaroi se policia në vendin e ngjarjes e ka shpallur tubimin të jashtëligjshëm, që nënkupton se ata të cilët nuk e kishin lëshuar zonën do të arrestohen.
Më herët gjatë ditës, xhirimet televizive treguan kolona të automjeteve dhe furgonëve të pashënuara ushtarake të ngarkuara me agjentë të uniformuar federalë të cilët lëviznin në rrugët e Los Anxhelosit.
Agjentët e Shërbimit amerikan për emigrim dhe doganë hynë në disa lokacione në Los Anxhelos.
Si-En-En dhe media të tjera njoftuan se dhjetëra njerëz ishin arrestuar gjatë bastisjeve, më të rejat në vargun e bastisjeve të ngjashme të zbatuara në disa qytete si pjesë e masave të presidentit Donald Tramp kundër emigrimit të jashtëligjshëm.
Kryetarja e Los Anxhelosit, Karen Bas, përmes një kumtese i dënon aksionet kundër emigrantëve, duke theksuar se “këto taktika mbjellin terror në bashkësitë tona dhe i shkelin parimet themelore të sigurisë në qytetin tonë”. fc/
Foto: EPA