“Telegrafi”: Tramp do t’i ofrojë Putinit minerale të rralla në këmbim të paqes
- Presidenti i SHBA-së Donald Tramp po përgatitet t'i ofrojë Vlladimir Putinit qasje në minerale të rralla në tentim për ta bindur atë ti japë fund luftës në Ukrainë, raporton portali britanik "Telegraf".
- Post By Fami Bajrami
- 09:03, 14 gusht, 2025
Londër, 14 gusht 2025 (MIA) - Presidenti i SHBA-së Donald Tramp po përgatitet t'i ofrojë Vlladimir Putinit qasje në minerale të rralla në tentim për ta bindur atë ti japë fund luftës në Ukrainë, raporton portali britanik "Telegraf".
Ai do të mbërrijë nesër në një takim të shumëpritur me homologun e tij rus në Ankorixh me një sërë propozimesh që mund t'i sjellin Rusisë fitime të konsiderueshme. Sipas "Telegrafit", ato përfshijnë hapjen e resurseve natyrore të Alaskës për Moskën dhe heqjen e disa sanksioneve amerikane ndaj industrisë ruse të aviacionit.
Thuhet se Sekretari amerikan për financa, Skot Besent është midis atyre që do ta informojë Trampin para takimit me Putinin. Besent po shqyrton koncesionet ekonomike që SHBA mund t'i ofrojë Rusisë për të përshpejtuar marrëveshjen rreth armëpushimit.
Midis propozimeve është dhënia për qasje në mineralet e rralla në territoret ukrainase që për momentin janë të okupuara nga Rusia.
"Gama e stimujve përfshin marrëveshje të mundshme për minerale të rralla", tha një burim i njohur me propozimet. Në maj, SHBA dhe Ukraina nënshkruan marrëveshje për minerale të rralla që lejon shfrytëzimin e resurseve ukrainase. Hapja e minierave të reja do të kërkonte gjithashtu edhe bashkëpunimin rus.
Theksohet se Ukraina posedon 10 për qind të rezervave të litiumit në botë, të cilat janë thelbësore për prodhimin e baterive. Dy depozitat më të mëdha të litiumit janë në territorin që mban Rusia, ndërsa Putini po i kërkon këto resurse.
Stimulimi shtesë përfshin heqjen e ndalesës për eksportin e pjesëve dhe pajisjeve të nevojshme për mirëmbajtjen e aeroplanëve rusë. Sanksionet perëndimore që nga fillimi i invazionit në vitin 2022 kanë penguar qasjen në pjesët kryesore të këmbimit.
Trampi gjithashtu shqyrton ofertën për Rusinë për të shfrytëzuar resurset natyrore në Ngushticën e Beringut e cila ndan Alaskën nga Rusia. Thuhet se zona përmban rezerva të konsiderueshme të pazbuluara të naftës dhe gazit.
Burime qeveritare britanike deklaruan se stimulime të tilla mund të jenë të pranueshme për Evropën nëse nuk shihen si një shpërblim për Putinin.
Shtëpia e Bardhë po zbut pritjet para samitit. Trampi tha se me gjasë do ta mësojë "brenda dy minutave të para" nëse Putini është serioz lidhur me paqen".
Foto: EPA