Teherani demanton se ambasadori iranian në KB është takuar me Ilon Maskun
- Teherani sot ka demantuar se ambasadori iranian në KB, Amir Said Iravani është takuar në Nju Jork me bashkëpunëtorin e ngushtë të Donald Trampit dhe pronarin e "Teslës" dhe "SpaceX", Ilon Mask.
- Post By Fami Bajrami
- 13:52, 16 nëntor, 2024
Teheran, 16 nëntor 2024 (MIA) - Teherani sot ka demantuar se ambasadori iranian në KB, Amir Said Iravani është takuar në Nju Jork me bashkëpunëtorin e ngushtë të Donald Trampit dhe pronarin e "Teslës" dhe "SpaceX", Ilon Mask.
Agjencia shtetërore e lajmeve IRNA raporton se zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Iranit, Esmail Bagai ka mohuar se ambasadori Iravani është takuar me Maskun dhe shprehu habinë për mbulimin e gjerë të çështjes nga mediat amerikane.
Media të shumta amerikane, duke cituar një zyrtar amerikan më kusht anonimiteti, publikuan se Masku dhe Iravani patën një takim në Nju Jork të hënën dhe diskutuan mbi programin bërthamor të Iranit, mbështetjen e vendit për organizatat anti-izraelite në Lindjen e Mesme dhe mundësinë e përmirësimit të marrëdhënieve mes Uashingtonit dhe Teheranit.
Takimi kinse në fjalë konsiderohet si një hap i parë i mundshëm për të ulur tensionet me presidentin e sapozgjedhur Donald Tramp. Takimi me Maskun kinse është kërkuar nga iranianët dhe kjo nuk është mbajtur në misionin iranian në KB.
Ekipi i tranzicionit i Trampit as nuk e ka konfirmuar dhe as nuk e ka demnantuar takimin për të cilin i pari informoi “NjuJork Tajms”.
Informacionet dhe demanti për takimin vijnë në momentin kur Trampi publikoi emrat e njerëzve që do të marrin postet kryesore të politikës së jashtme, duke përfshirë edhe senatorin Marko Rubio për sekretar shteti dhe deputetin në Dhomën përfaqësuese Majk Uallc për këshilltarë të sigurisë kombëtare i cili deri më tani në paraqitjet publike ka shprehur qëndrime të ashpra ndaj Iranit.
Nga ana tjetër, lideri suprem i Iranit, ajatollah Ali Hamnei i cili e ka fjalën e fundit për të gjitha çështjet shtetërore, vazhdimisht ka shprehur indinjatën për Trampin, për dallim nga presidenti i ri reformist i Iranit, Masud Pazeshkian i cili ka lënë të hapur mundësinë e bisedimeve me presidentin e ri amerikan.
Foto: arkivi i MIA-s