Teheran: Përfaqësuesit e Iranit dhe E3 zhvilluan një sërë bisedimesh serioze dhe të sinqerta
- Zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Iranit, Kazem Garibabadi, tha sot se Teherani zhvilloi një seri bisedimesh "serioze, të sinqerta dhe të detajuara" me një delegacion të vendeve të E3 (Franca, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar) mbi lehtësimin e sanksioneve ndaj Iranit dhe programit të tij bërthamor, dhe se të dyja palët paraqitën propozime konkrete.
- Post By Sara Ademi
- 15:40, 25 korrik, 2025
Stamboll, 25 korrik 2025 (MIA) - Zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Iranit, Kazem Garibabadi, tha sot se Teherani zhvilloi një seri bisedimesh "serioze, të sinqerta dhe të detajuara" me një delegacion të vendeve të E3 (Franca, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar) mbi lehtësimin e sanksioneve ndaj Iranit dhe programit të tij bërthamor, dhe se të dyja palët paraqitën propozime konkrete.
Ai theksoi se Irani kishte përsëritur qëndrimet e tij parimore, duke përfshirë një mekanizëm për t'iu përgjigjur sanksioneve, por shtoi se bisedimet mbi këtë temë duhet të vazhdojnë.
Delegacionet iraniane dhe të E3 mbërritën në Stamboll më herët sot për takimin e parë ballë për ballë midis të dyja palëve që nga sulmet e SHBA-së dhe Izraelit ndaj objekteve bërthamore iraniane në qershor.
Para takimit, ministri i jashtëm iranian Abas Arakçi tha se qëndrimi i Iranit ishte "i fortë dhe i palëkundur".
"Pasurimi ynë i uraniumit do të vazhdojë. Ne nuk do të heqim dorë nga kjo e drejtë e popullit iranian", tha Arakçi në një video mesazh të publikuar nga mediat lokale.
Ai shtoi se bisedimet në Stamboll janë një vazhdim i dialogëve të mëparshëm, por se bota duhet ta dijë se qëndrimi i Teheranit është "i qartë dhe i pandryshuar". sa/
foto: MIA