• e hënë, 23 dhjetor 2024

Tanket dhe këmbësoria izraelite natën e dytë me rradhë hyjnë në Rripin e Gazës

Tanket dhe këmbësoria izraelite natën e dytë me rradhë hyjnë në Rripin e Gazës

Jerusalem, 27 tetor 2023 (MIA) - Ushtria izraelite mbrëmë dërgoi përsëri tanke dhe ushtarë në Rripin e Gazës për të sulmuar operativët dhe objektivat e Hamasit ekstremist islamik, lëvizje që ka qenë në pushtet në enklavën palestineze që nga viti 2007.

IDF kumtoi se bastisja, e cila u krye për të dytën natë radhazi, në afërsi të lagjes Shuxhai, në pjesën lindore të Gazës, përfshin njësi këmbësorie, njësi të blinduara dhe të tjera me mbështetjen e dronëve dhe helikopterëve luftarakë.

Artileria dhe sulmet ajrore u kryen në objektivat e Hamasit, duke përfshirë vendet e lëshimit të raketave të drejtuara antitank dhe qendrat komanduese, kumtoi ushtria izraelite.

Pas disa orësh ndërhyrjesh, të gjithë pjesëtarët e forcave izraelite u kthyen në territorin izraelit dhe asnjë ushtar nuk u plagos apo u vra.

Këto bastisje, të shpallura nga udhëheqja ushtarake dhe shtetërore izraelite, janë një pararendës për një ofensivë më të gjerë tokësore.

Zëdhënësi i ushtrisë izraelite Daniel Hagari tha mbrëmë se sulmet tokësore do të vazhdojnë derisa po përgatiten fazat e ardhshme të luftës kundër Hamasit.

Ai tha se ushtria izraelite vazhdon të sulmojë Gazën nga ajri dhe deti dhe është e fokusuar në vrasjen e komandantëve të lartë të Hamasit dhe shkatërrimin e infrastrukturës së organizatës.

Ministri izraelit i Mbrojtjes Joav Galant tha se kanë ardhur "momentet vendimtare" dhe se ai po lufton për vendin e tij dhe se fitorja do të arrihet, raportojnë mediat izraelite.

"Hapat shtesë në luftë do të vijnë, tani po krijojmë kushtet dhe do t'i zbatojmë", tha Galant dhe deklaroi se do të bëhen "përpjekje maksimale" për kthimin e më shumë se 200 pengjeve që mbahen peng nga ekstremistët.

Që nga 7 tetori dhe sulmi i Hamasit ndaj Izraelit deri më tani janë vrarë 7,000 njerëz në Gaza, duke përfshirë afro 3,000 fëmijë, si dhe mbi 1,400 njerëz në Izrael. sa/

Foto: IDF

QËNDRONI TË LIDHUR