Talebanët festojnë përvjetorin e katërt të rikthimit të pushtetit në Afganistan
- Talebanët sot e festojnë përvjetorin e katërt të rikthimit të pushtetit në Afganistan, të nxitur nga njohja ruse e qeverisë dhe me shpresën se edhe shtete të tjera do të ndjekin shembullin.
- Post By Qefsere Abduli
- 09:38, 15 gusht, 2025
Kabul, 15 gusht 2025 (MIA) - Talebanët sot e festojnë përvjetorin e katërt të rikthimit të pushtetit në Afganistan, të nxitur nga njohja ruse e qeverisë dhe me shpresën se edhe shtete të tjera do të ndjekin shembullin.
Janë planifikuar parada në disa qytete, si dhe në qendër të Kabulit, ku do të hidhen lule nga helikopterët dhe do të ngriten flamujt e zi dhe të bardhë të Emiratit Islamik të Afganistanit për Ditën e Fitores, që shënon riokupimin e kryeqytetit më 15 gusht të vitit 2021.
Nga mbrëmë, talebanët janë mbledhur në udhëkryqin që çon drejt ambasadës së SHBA-së, duke ndezur fishekzjarre dhe valvitur flamujt e mëdhenj.
Parada ushtarake që është mbajtur në vitet e mëparshme në bazën Bagram, ish qendra e operacioneve perëndimore kundër buntit të talebanëve gjatë luftës (2001-2021), nuk do të organizohet sot. Festimet janë anuluar, deklaroi përfaqësuesi i talebanëve në kushte anonimiteti.
Qeveria e talebanëve mbetet e izoluar nga komuniteti ndërkombëtar, i cili ka kritikuar masat kundër lirisë të ndërmarra në emër të një interpretimi ultrastrikt të ligjit islamik, veçanërisht ato ndaj grave.
Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshoi urdhër arrest ndaj dy liderëve të talebanëve në fillim të korrikut për persekutimin e grave afgane, të cilave u është ndaluar qasja në universitete, palestra, sallone bukurie, parqe dhe shumë vende pune.
Por, qeveria e talebanëve, e cila lufton për të fituar njohjen ndërkombëtare, sapo ka arritur një fitore me njohjen nga Rusia.
Kabuli, gjithashtu, mbanë lidhje të afërta, edhe pa njohje zyrtare, me vendet e Azisë Qendrore, Kinën dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, mes tjerash.
Qeveria e talebanëve njoftoi se në Kabul janë mbajtur bisedime me përfaqësuesit norvegjez, britanik dhe amerikanë.
Të dërguarit specialë të Kombeve të Bashkuara sot i bënë thirrje komunitetit ndërkombëtar të mos i normalizojë marrëdhëniet me talebanët dhe ta hedhin poshtë “regjimin e tyre të dhunshëm dhe autoritar”. Ata theksuan se talebanët po ushtrojnë pushtet "pa legjitimitet" dhe po tregojnë një "mosrespekt flagrant ndaj të drejtave të njeriut, barazisë dhe mosdiskriminimit". qa/
Foto: EPA