Takimi i përfaqësuesve të Komunitetit të Transportit, me dy komisionet parlamentare: Përshtatja e ligjeve për integrim më efikas në sistemin e transportit të BE-së
- - Drejtori i Komunitetit të Transportit, Matej Zakonjshek, i prezantoi raportet dhe aktivitetet e kësaj Organizate Ndërkombëtare para anëtarëve të komisioneve parlamentare për Çështje Evropiane dhe për Transport, Transformim Digjital, Mjedis Jetësor dhe Planifikim Hapësinor.
- Post By Ramize Qamili
- 16:17, 2 korrik, 2025
Shkup, 2 korrik 2025 (MIA) - Drejtori i Komunitetit të Transportit, Matej Zakonjshek, i prezantoi raportet dhe aktivitetet e kësaj Organizate Ndërkombëtare para anëtarëve të komisioneve parlamentare për Çështje Evropiane dhe për Transport, Transformim Digjital, Mjedis Jetësor dhe Planifikim Hapësinor.
Siç informojnë nga shërbimi për informim i Kuvendit, në diskutimin me deputetët, u theksua rëndësia e integrimit të vendit dhe të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor në sistemin e transportit të Bashkimit Evropian. Gjatë kësaj, Zakonjshek theksoi se ky proces bazohet në dy shtylla kryesore - legjislacionin dhe projektet.
Në këtë kontekst, u theksua rëndësia e harmonizimit të ligjeve me rregullativën e BE-së në këtë fushë, si në vend, ashtu edhe në pesë vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Nga ky aspekt, u theksua se parlamentet kanë rol vendimtar.
Lidhur me projektet për përmirësimin e rrjetit të transportit, u theksua se disa prej tyre po zbatohen më ngadalë, për shkak të mungesës së përshtatjes së një pjese të rregullativës.

Kryetari i Komisionit për Çështje Evropiane, Antonio Milloshoski, vuri në dukje se do të ishte mirë të vendoset komunikimi i rregullt midis Kuvendit dhe Komunitetit të Transportit, në mënyrë që deputetët të jenë më të informuar për të gjitha raportet, projektet ose aktivitetet e reja. Ai theksoi se nuk ka dallime midis deputetëve nga grupet e ndryshme parlamentare në aspektin e perceptimit të rëndësisë së lidhjes së transportit të rajonit dhe BE-së.
Milloshoski gjithashtu theksoi rëndësinë e forcimit të burimeve njerëzore për menaxhimin e projekteve dhe proceseve në fushën e transportit.
Në kuadër të Prezantimit, përfaqësuesit e Komunitetit të Transportit dhe deputetët nga të dy komisionet diskutuan gjithashtu përfshirjen e rajonit në infrastrukturën hekurudhore të BE-së, rrjetin rrugor dhe përfitimet e korridoreve të gjelbra, si dhe mundësitë për lehtësimin e mëtejshëm të komunikacionit në pikat kufitare.
Bashkëbiseduesit trajtuan gjithashtu rëndësinë e korridoreve 8 dhe 10, dhe shkëmbyen mendime mbi rëndësinë e kontrollit më të madh të rrugëve dhe vendosjen e standardeve më të larta për sigurinë në komunikacion.
Nga shërbimi për informim i Kuvendit njoftojnë se ishte konkluduar se Komuniteti i Transportit është hallkë vendimtare në koordinimin e këtyre proceseve, zbatimi i të cilave sjell përfitime për qytetarët dhe bizneset në rajon. rq/
Foto: Kuvendi