Takimi i ministrave të Brendshëm të BE-së, ndër temat është edhe nisja e mundshme e sistemit ETIAS
- Situata në zonën Shengen, sistemi ETIAS, migrimi, siguria e brendshme dhe lufta kundër trafikut të drogës dhe krimit të organizuar do të jenë temat kryesore të takimit të sotëm të Këshillit të Drejtësisë dhe Punëve të Brendshme të BE-së në nivel të ministrave të Brendshëm në Bruksel.
- Post By Lindita Sulejmani
- 10:16, 5 mars, 2025

Bruksel, 5 mars 2025 (MIA) - Situata në zonën Shengen, sistemi ETIAS, migrimi, siguria e brendshme dhe lufta kundër trafikut të drogës dhe krimit të organizuar do të jenë temat kryesore të takimit të sotëm të Këshillit të Drejtësisë dhe Punëve të Brendshme të BE-së në nivel të ministrave të Brendshëm në Bruksel.
Takimi, i cili do të kryesohet nga Ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës, Tomash Sjemonjak, si përfaqësues i vendit që mban presidencën aktuale të BE-së, do të fillojë me diskutime në lidhje me funksionimin e zonës Shengen, gjatë të cilave do të shkëmbehen mendime për efikasitetin e sistemit për kthimin e personave të cilëve u është refuzuar kërkesa për azil.
Ministrat pritet të diskutojnë sfidat që lidhen me kthimin e emigrantëve të paligjshëm, si mungesa e burimeve, bashkëpunimi i pamjaftueshëm nga vendet e origjinës dhe tranzitit të emigrantëve, si dhe niveli i ulët i shkëmbimit të informacionit. Ministrat pritet të votojnë edhe miratimin e vendimit me rekomandime për menaxhimin e sfidave që lidhen me procesin e kthimit të emigrantëve.
Ministrat e Brendshëm do të diskutojnë gjithashtu edhe për udhërrëfyesin për fillimin e zbatimit të Sistemit Evropian të Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS), si dhe rregulloren për fillimin e funksionimit të Sistemit për Hyrje/Dalje (EES).
Sistemi ETIAS parashikon që qytetarët e mbi 60 vendeve që nuk kanë nevojë për vizë për të hyrë në BE për qëndrime deri në 90 ditë, përfshirë qytetarët e Maqedonisë së Veriut, duhet të aplikojnë për autorizim për të udhëtuar në vendet e zonës Shengen.
Aplikimi për një autorizim udhëtimi në zonën Shengen do të duhet të plotësohet në mënyrë elektronike jo më vonë se 96 orë përpara hyrjes së planifikuar në një shtet anëtar të BE-së. Personat nga 18 deri në 70 vjeç do të duhet të paguajnë shtatë euro gjatë aplikimit, ndërsa për të miturit dhe personat mbi 70 vjeç dokumenti do të jetë falas. Miratimi do të jetë i vlefshëm për tre vjet nga data e lëshimit ose deri në skadimin e pasaportës në bazë të së cilës është lëshuar.
Megjithatë, sipas parashikimeve të ETIAS, marrja e një autorizimi udhëtimi nuk garanton hyrjen në zonën Shengen, pasi pas mbërritjes në kufi, policia kufitare do të duhet të përcaktojë nëse udhëtari i plotëson kushtet për të hyrë në territorin e BE-së.
Startimi i sistemit ETIAS është shtyrë disa herë deri më tani. Për herë të fundit ishte paraparë të fillonte zbatimin në maj të këtij viti, por edhe ai fillim është shtyrë.
Inkuadrimin e këtij sisitemi, BE-ja e justifikon me arsyen e rritjes së sigurisë, për shkak të rritjes së shkallës së terrorizmit dhe aktiviteteve kriminale, por siç thekson, nuk do të vendosë asnjë kufizim udhëtimi për banorët e vendeve jashtë BE-së që janë të përjashtuar nga regjimi i vizave.
Megjithatë, qëllimi i diskutimit për sistemin EES, është harmonizimi i qëndrimeve ndërmjet shteteve anëtare të BE-së për Rregulloren për këtë sistem, që duhet të mundësojë fillimin e funksionimit të tij. Sistemi EES do të regjistrojë hyrjen dhe daljen nga BE të shtetasve të vendeve të treta gjatë qëndrimit të tyre afatshkurtër në një nga shtetet anëtare të bllokut. Sipas rregullave të parashikuara, me hyrjen ose daljen e parë nga BE-ja pas hyrjes në fuqi të sistemit, shtetasve të vendeve të treta do t'u skanohen ose fotografohen shenjat e gishtave dhe këto të dhëna do të ruhen në dosjen e të dhënave digjitale të BE-së.
Në drekën e punës në kuadër të Këshillit, ministrave europianë do t'u bashkohen kolegët e tyre të sigurisë nga 16 vendet e Amerikës Jugore dhe Qendrore, të cilat janë të përfshira në Komitetin e Amerikës Latine për Sigurinë e Brendshme (CLASI). Ministrat pritet të diskutojnë bashkëpunimin reciprok në shkëmbimin e informacionit në lidhje me trafikun e drogës, në zbatimin e aksioneve për shpartallimin e rrjeteve kriminale dhe ballafaqimin me krimin e organizuar.
Në seancën e pasdites së Këshillit, ministrat e Brendshëm evropianë do të diskutojnë ndikimin e përmbysjes së regjimit të ish-presidentit sirian Bashar Asad në migracionin. Ministrat pritet të shqyrtojnë "mënyrat konkrete në të cilat shtetet anëtare mund të ndihmojnë sirianët që shprehin një dëshirë të fortë për të shkuar në shtëpi" për t'u kthyer në Siri pas rënies së regjimit të Asadit. Sipas të dhënave të disponueshme, mbi një milion sirianë banojnë në BE, pasi janë larguar nga Siria pas fillimit të luftës civile.
Ministrat do të shkëmbejnë gjithashtu pikëpamje mbi ndikimin e zhvillimeve aktuale gjeopolitike, kryesisht në Ukrainë, në sigurinë e brendshme të BE-së. Gjatë asaj pjese të seancës, Komisioni Evropian do t'u prezantojë ministrave Planin e Veprimit për Sigurinë e Infrastrukturës Kabllore, të propozuar muajin e kaluar, që synon të parandalojë, të zbulojë, të përgjigjet, të rikuperojë dhe të parandalojë sulmet ndaj infrastrukturës kabllore në BE.
Në kuadër të seancës, Presidenca polake është planifikuar të paraqesë edhe një Raport mbi zbatimin e veprimeve prioritare për të luftuar trafikun e drogës dhe krimin e organizuar. Raporti mbulon aktivitetet që lidhen me mobilizimin e administratave doganore në luftën kundër trafikut të drogës, rritjen e kontrolleve në porte, hartimin e rrjeteve kriminale që përbëjnë kërcënimin më të madh për shoqëritë, lehtësimin e hetimeve digjitale, forcimin e qëndrueshmërisë së institucioneve të paraburgimit, duke forcuar luftën kundër krimit financiar dhe kthimin e pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme.
Gjithashtu, më pak se 16 muaj para hyrjes në fuqi të Paktit për Migracion dhe Azil, Komisioni Evropian pritet të paraqesë një raport mbi procesin e përgatitjeve për zbatimin e tij, ndërsa Ministri i Brendshëm portugez do të informojë kolegët e tij për pjesëmarrjen e tij në takimin e 42-të të Ministrave të Brendshëm të vendeve arabe. ls/
Foto: Arkivi i MIA-s