• e diel, 22 dhjetor 2024

Takimi i ardhshëm mes Kurtit dhe Vuçiqit do të zhvillohet më 18 mars në Ohër

Takimi i ardhshëm mes Kurtit dhe Vuçiqit do të zhvillohet më 18 mars në Ohër

Pragë, 2 mars 2023 (MIA) - Takimi i radhës i liderëve të Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut do të mbahet në Ohër më 18 mars, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë një përfaqësues zyrtar i Bashkimit Evropian.

Ky do të jetë takim ku liderët do të diskutojnë planin e zbatimit që është pjesë integrale e propozimit evropian, që tani quhet Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të Kosovës dhe Serbisë.

Skenari i dëshiruar për palën evropiane është që ky të jetë takim ku liderët do të bien dakord për një aneks të planit që përfshin kalendar të qartë se kur duhet të përmbushen të gjitha elementet e marrëveshjes evropiane, shkruan REL.

Diskutimi për këtë propozim konsiderohet i mbyllur për palën evropiane, pasi presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti ranë dakord për tekstin e propozimit në takimin e 27 shkurtit në Bruksel.

Në Bruksel besojnë se pa aneksin zbatues, i cili konsiderohet pjesë përbërëse e marrëveshjes, propozimi evropian do të përfaqësonte vetëm “një deklaratë politike, pa asnjë detyrim ligjor apo politik për palët”.

Pala evropiane planifikon, në rast të marrëveshjes, dhe në rast të zbatimit, të nënshkruhet edhe dy pjesët "e pandara" të cilat e përbëjenë dokumentin e njëjtë.

Përfaqësuesit evropianë presin bisedime të tensionuara, veçanërisht në lidhje me Asociacionin e Komunave Serbe në Kosovë, që vlerësohet si element kyç i diskutimit. 

Përfaqësuesit e BE-së theksojnë se nuk duan t'i imponojnë Kosovës model që nuk është testuar deri më tani. Në këtë drejtim, ata pohojnë se tashmë janë rreth 16 modele evropiane që do të shërbenin si shembull për Asociacionin në Kosovë dhe thonë se të gjitha këto modele funksionojnë në vende të caktuara evropiane, shkruan REL. fc/

QËNDRONI TË LIDHUR