• e shtunë, 21 dhjetor 2024

Takimi Borel - Abdollahian: Nevojitet një zgjidhje diplomatike për çështjen bërthamore iraniane

Takimi Borel - Abdollahian: Nevojitet një zgjidhje diplomatike për çështjen bërthamore iraniane

Bruksel, 20 shtator 2023 (MIA) - Marrëdhëniet dypalëshe midis Bashkimit Evropian dhe Iranit, vlerësimet nga vendet perëndimore se Teherani po zbaton Planin e përbashkët gjithëpërfshirës të veprimit për programin bërthamor të Iranit dhe ndalimi i aksesit të inspektorëve të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (ANEA) në instalimet bërthamore të vendit, ishin në fokus të bisedimeve të takimit të përfaqësuesit të lartë të BE-së për politikën e jashtme dhe sigurinë, Zhozep Borell, me shefin e diplomacisë iraniane, Amir Abdollahian, që u zhvilluan mbrëmë vonë, me orën evropiane, në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju-Jork.

Siç kumtoi Shërbimi evropian për punë të jashtme, Borell i bëri thirrje Iranit të rishqyrtojë vendimin e tij për të tërhequr aksesin e disa inspektorëve me përvojë të ANEA-s në objektet e tij bërthamore dhe të përmirësojë bashkëpunimin me agjencinë.

Ai shtoi se është e rëndësishme të ndërmerren hapa për de-përshkallëzimin, duke shprehur besimin e tij të vendosur në nevojën për të gjetur një zgjidhje diplomatike për çështjen bërthamore iraniane në kuadër të Planit të përbashkët gjithëpërfshirës të veprimit.

Përfaqësuesi i lartë përcolli gjithashtu dënimin e fortë të Unionit për "arrestimet arbitrare të shumë qytetarëve të BE-së në Iran" dhe bëri thirrje për lirimin e menjëhershëm të tyre.

"Qëndrimi i BE-së mbetet i pandryshuar për situatën shumë shqetësuese me të drejtat e njeriut në vend. Irani duhet të sigurojë respektimin e lirive themelore", tha Borell.

Ai gjithashtu i bëri thirrje qeverisë iraniane ta ndërprejë "bashkëpunimin e vazhdueshëm ushtarak me Rusinë në luftën e paligjshme të agresionit kundër Ukrainës". ls/

Foto: Arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR