• e hënë, 23 dhjetor 2024

Takim ministror BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel

Takim ministror BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel

Bruksel, 13 nëntor 2023 (MIA) - Shefat e diplomacisë së vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe të vendeve anëtare të BE-së, sot pasdite do të mbajnë takim ministror nën kryesimin e përfaqësuesit të lartë të Unionit për punë të jashtme dhe siguri, Zhozep Borell.

Siç njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Brukseli, qëllimi i takimit ministror BE- Ballkani Perëndimor është intensifikimi i mëtutjeshëm i angazhimit të Unionit me vendet e rajonit, me theks të veçantë në politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të bllokut në kuadër të sfidave gjeopolitike në fqinjësinë evropiane.

Takimet në këtë format që synonin angazhimin e përforcuar të Unionit me vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor rezultuan me Deklaratën nga Tirana të harmonizuar me Samitin BE-Ballkani Perëndimor më 6 dhjetor 2022, me të cilën liderët pjesëmarrës shprehën vendosmërinë e tyre për të përshpejtuar dhe thelluar angazhimin politik, duke përfshirë edhe nëpërmjet pjesëmarrjes së partnerëve nga Ballkani Perëndimor në ngjarjet në nivel të lartë të BE-së dhe përmes dialogut të rregullt mbi politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë.

Takimi ministror BE- Ballkani Perëndimor do të mbahet pas përfundimit të ditës së parë të mbledhjes së Këshillit të Punëve të Jashtme të Unionit, në agjendën e të cilit do të diskutohet për situatën në Izrael, Rripin e Gazës dhe rajonin në Lindjen e Afërt, agresionin rus ndaj Ukrainës, zhvillimet në marrëdhëniet e Armendisë dhe Azerbejxhanit, si dhe për dimensionin e jashtëm politik të sigurisë ekonomike.

Në kuadër të diskutimit lidhur me zhvillimet në Ukrainë, në mbledhjen e Këshillit do të marrë pjesë edhe ministri ukrainas i Punëve të Jashtme, Dmitro Kuleba përmes lidhjes video-konferencë.

Nesër, në ditën e dytë të seancës së Këshillit të Punëve të Jashtme të BE-së, ministrat e Mbrojtjes së vendeve anëtare të Unionit do të diskutojnë për çështje që lidhen me çështjet e sigurisë së bllokut.

Mbledhja do të fillojë me një mëngjes jozyrtar të ministrave të mbrojtjes të BE-së dhe Përfaqësuesit të Lartë Borrell me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg për të diskutuar mbi qëndrueshmërinë e infrastrukturës kritike të bllokut nën hijen e incidenteve të sigurisë në Detin Baltik.

Tema kryesore për diskutim në mbledhjen e Këshillit do të jetë mbështetja e Unionit për Ukrainën, ndërsa ministrat do të diskutojnë gjithashtu misionet dhe operacionet e Kapacitetit për vendosje të shpejtë të BE-së (RDC) dhe politikën e përbashkët të sigurisë dhe mbrojtjes, ndërsa ata gjithashtu duhet të miratojnë edhe konkluzionet për strategjinë hapësinore për sigurinë dhe mbrojtjen e bllokut.

Në kuadër të mbledhjes do të mbahet edhe seancë e Bordit Drejtues të Agjencisë Evropiane të Mbrojtjes, në të cilën ministrat duhet të miratojnë Prioritetet për zhvillimin e kapaciteteve (CDP) për vitin 2023 dhe të diskutojnë për zbatimin e tyre, i cili duhet të shërbejë si bazë për të gjitha iniciativat dhe instrumentet e mbrojtjes të BE-së. ls/

Foto: Arkivi i MIA-s

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR