• e premte, 22 nëntor 2024

Takim i Nuredinit me ministren bullgare të Mjedisit Jetësor dhe Ujërave, Karamfilova

Takim i Nuredinit me ministren bullgare të Mjedisit Jetësor dhe Ujërave, Karamfilova

Shkup, 23 nëntor 2022 (MIA) - Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Naser Nuredini zhvilloi takim bilateral me delegacionin nga Ministria e Mjedisit dhe Ujërave të Republikës së Bullgarisë të kryesuar nga ministrja Rosica Karamfilova. Në takim u bisedua për disa tema që kanë të bëjnë me koordinimin e aktiviteteve në fushën e mjedisit jetësor, për të cilat ë dy vendet tashmë kanë krijuar një bashkëpunim të mirë.

Siç kumtoi MMJPH, theks është vendosur në shkëmbimin e përvojave dhe ekspertizës në transpozimin dhe aplikimin e legjislacionit evropian në fushën e mjedisit jetësor, veçanërisht në procesin e negociatave të RMV-së në BE, gjegjësisht në negociatat e Kapitullit 27 – Mjedisi Jetësor dhe Klima.

"Në këtë kontekst u konfirmua efekti pozitiv i aktiviteteve të Grupit Punues 3: Integrimi Evropian dhe politikat e gjelbra të formuara në bazë të Marrëveshjes për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim ndërmjet Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Bullgarisë (nga viti 2019). Gjithashtu u diskutua për mundësitë dhe nevojën e intensifikimit të bashkëpunimit të paraparë me Programin Dyvjeçar të Punës, i cili zbatohet përmes komisionit të përzier dhe grupeve të ekspertëve në fushën e menaxhimit të ujërave, menaxhimit të mbeturinave dhe legjislacionit të BE-së", shtohet në kumtesë.

Fokusi ishte në fushën e mbrojtjes së ujërave ndërkufitare, në radhë të parë lumi Struma, për të cilin pala bullgare ka kërkuar mbështetje në Këshillin e Konventës së Bernës për autostradën Struma.

"U diskutua edhe për çështjen e bashkëpunimit në mbrojtjen e natyrës së malit Belasicë, si dhe u diskutuan tema lidhur me menaxhimin e mbeturinave", informojnë nga MMJPH. fb/

QËNDRONI TË LIDHUR