• e premte, 05 dhjetor 2025

Tajani: Italia ende nuk është e gatshme ta njohë Palestinën

Tajani: Italia ende nuk është e gatshme ta njohë Palestinën

Romë, 25 korrik 2025 (MIA) - Italia nuk është ende gati ta njohë Palestinën si shtet të pavarur, tha zëvendëskryeministri dhe ministër i Jashtëm Antonio Tajani, pasi presidenti francez Emanuel Makron njoftoi se Franca do ta bënte këtë.

"Ne mbështesim një zgjidhje me dy shtete, dy popuj, por njohja e një shteti palestinez duhet të shoqërohet me njohjen e Izraelit nga palestinezët", tha Tajani në një seancë të Këshillit Kombëtar të partisë së tij "Forca Italia".

Ai shtoi se interesi i Italisë është arritja e paqes, jo fitorja e njërës prej palëve në konflikt. - Italia është vendi që ka pranuar numrin më të madh të refugjatëve nga Gaza, vuri në dukje Tajani.

Shefi i diplomacisë italiane dënoi sulmet izraelite në Rripin e Gazës, si dhe kufizimet për hyrjen e ndihmës humanitare. Ai gjithashtu përsëriti thirrjen e tij për një armëpushim të menjëhershëm në konfliktin me Hamasin.

"Nuk mund të shohim më masakra dhe uri. Është koha për një armëpushim të menjëhershëm", përfundoi Tajani. sa/

foto: arkivi

QËNDRONI TË LIDHUR