• e diel, 07 dhjetor 2025

Tajani: Italia do të luajë rol udhëheqës në ripërtëritjen e Gazës

Tajani: Italia do të luajë rol udhëheqës në ripërtëritjen e Gazës

Otavë, 12 nëntor 2025 (MIA) - Italia do të luajë rol të rëndësishëm dhe konstruktiv në procesin e ripërtëritjes së Gazës dhe stabilizimit të armëpushimit mes Izraelit dhe palestinezëve, deklaroi ministri italian i Punëve të Jashtme, Antonio Tajani në margjinat e takimit ministror të G7 në Kanada.

"Përkushtimi i Italisë në Lindjen e Mesme mund të përfshijë stërvitje të policisë palestineze ose kontribut në administratën civile. Do të konsultohemi me të gjitha palët e prekura, duke përfshirë edhe me myslimanët", tha Tajani.

Ai përkujtoi se Italia tanimë ka vendosur të investojë 60 milionë euro në ripërtëritjen e Gazës, ndërsa pesë milionët e para janë transferuar para disa muajve.

Duhet të sigurohemi se armëpushimi do të përforcohet dhe se tërë ndihma humanitare do të arrijë deri te popullata", shtoi ministri , duke saktësuar se një përfaqësues italian ka vizituar Jordaninë, Ramallahun, Izraelin dhe Egjiptin dhe se është në rrugë për në SHBA.

"Italia do të luajë rol udhëheqës në fazën e rikuperimit dhe në fazën e konsolidimit të paqes", tha Tajani.

Ministri komentoi edhe për çështje tjera ndërkombëtare, duke përfshirë marrëdhëniet me Kinën, luftën në Ukrainë dhe konfliktin në Sudan.

"Nuk mund ta lejojmë Kinën të diktojë çmimet e lëndëve të para. Ne duhet të përforcojmë dialogun dhe të gjejmë burime të reja - në Afrikë, Amerikën Latine, Australi dhe Zelandën e Re", tha Tajani.

Sipas tij, Rusia "nuk po e fiton luftën në Ukrainë", por po "përhap propagandë", ndërsa bashkësia ndërkombëtare duhet të vazhdojë përpjekjet e saj për të ushtruar presion mbi Moskën dhe për të arritur armëpushim.

Lidhur me krizën në Sudan, Tajani njoftoi se Italia do të dërgojë një aeroplan dhe një anije me furnizime për fëmijët në Port Sudan para Krishtlindjeve. Ai theksoi se bashkëpunimi me vendet e Gjirit është gjithashtu i nevojshëm për të arritur armëpushim. bsh/

Foto: EPA arkiv

QËNDRONI TË LIDHUR