• e hënë, 23 dhjetor 2024

Tajani: Armët e furnizuara në Ukrainë mund të përdoren vetëm në territorin e saj

Tajani: Armët e furnizuara në Ukrainë mund të përdoren vetëm në territorin e saj

Romë, 18 nëntor 2024 (MIA) - Ministri i Punëve të Jashtme të Italisë, Antonio Tajani sot në Bruksel konfirmoi qëndrimin e Italisë për armët e furnizuara në Ukrainë të cilat mund të përdoren “vetëm në territorin ukrainas”.

"Qëndrimi ynë për përdorimin e armëve të Ukrainës nuk ndryshon, ato mund të përdoren vetëm në territorin ukrainas", tha Tajani në margjinat e takimit të ministrave të Punëve të Jashtëm të BE-së.

Deklarata vjen pasi Uashingtoni e lejoi Ukrainën të sulmojë territorin rus me raketa me rreze të gjatë veprimi të furnizuar nga SHBA-ja, një ndryshim i madh strategjik rreth dy muaj përpara se Donald Tramp të marrë detyrën.

Ato raketa, me një rreze maksimale prej disa qindra kilometrash do t'i lejonin Ukrainës të arrinte në vendet logjistike të ushtrisë ruse dhe fushat ajrore nga të cilat ngrihen bombarduesit e saj.

Tajani mbrojti "konferencën e paqes në prani të rusëve, kinezëve, indianëve dhe brazilianëve".

"Shpresoj se Pekini mund të luajë një rol pozitiv për ta bërë Moskën të kuptojë se kjo luftë e pakuptimtë duhet të përfundojë. Natyrisht, prania e ushtarëve të Koresë së Veriut nuk është një sinjal i mirë”, shtoi Tajani. qa/

Foto: arkivi i MIA-s

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR