Të paktën tetë të lënduar pas tërmetit të ri në Turqi, ndërtesa të shembura dhe njerëz të ngujuar nën rrënoja
- Së paku tetë persona janë lënduar nga tërmeti që goditi sonte provincën turke Hataj, konfirmoi zëvendëspresidenti turk Fuat Oktaj, transmeton Agjencia Anadollu.
- Post By Fami Bajrami
- 22:09, 20 shkurt, 2023
Ankara, 20 shkurt 2023 (MIA) - Së paku tetë persona janë lënduar nga tërmeti që goditi sonte provincën turke Hataj, konfirmoi zëvendëspresidenti turk Fuat Oktaj, transmeton Agjencia Anadollu.
Kryebashkiaku i Hatajt deklaroi se nën rrënoja ka njerëz të ngujuar, njofton Bi-Bi-Si.
Agjencia e lajmeve SANA e Sirisë publikoi se në Alepo ka gjashtë persona të lënduar nga shembja e ndërtesave tashmë të dëmtuara.
Sonte një tërmet i ri me magnitudë 6.4 ballë u regjistrua në provincën Hataj që u godit rëndë nga një tërmet i fuqishëm dy javë më parë ku jetën e humbën më shumë se 45.000 njerëz në Turqi dhe Siri.
Anadollu tha se Agjencia për menaxhim të fatkeqësive Afad theksoi se epiqendra e tërmetit ka qenë në qytetin Defne në provincën Hataj, ndërsa ndodhi në orën 20:04 sipas kohës lokale.
Tërmeti është ndjerë fuqishëm në Antioki dhe Adana, 200 kilometra në veri të epiqendrës.
Televizioni turk NTV njoftoi se disa ndërtesa të dëmtuara janë shembur nga tërmeti.
Deri më tani, rreth 45.000 njerëz kanë vdekur nga tërmeti me magnitudë 7.7 ballë sipas Rihterit që më 6 shkurt goditi Turqinë dhe Sirinë.
Autoritetet turke prej atëherë kanë regjistruar më shumë se 6.000 lëkundje të njëpasnjëshme.