• e premte, 05 dhjetor 2025

Të paktën shtatë persona të vdekur, mes të cilëve edhe dy fëmijë, në sulmet ajrore ruse mbi Harkov (PLT)

Të paktën shtatë persona të vdekur, mes të cilëve edhe dy fëmijë, në sulmet ajrore ruse mbi Harkov (PLT)

Kiev, 18 gusht 2025 (MIA) - Të paktën shtatë persona, mes të cilëve një fëmijë i vogël dhe një djalosh 16-të vjeçar, u vranë në një sulm rus me dron ndaj një zone banesore në Harkov gjatë natës, informon një zyrtar ukrainas.

Incidenti vjen në kohën kur Uashingtoni po i bën presion Kievit që të bie dakord shpejt për një marrëveshje armëpushimi që forcat ruse e filluan kur pushtuan vendin fqinj në fillim të vitit 2022.

Gjashtë fëmijë të moshës midis gjashtë dhe 17 vjeç ishin midis 20 të plagosurve në sulmin në qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, shkroi guvernatori rajonal i Harkovit, Oleg Sinegubov, në platformën Telegram. Numri i personave të plagosur në sulmet ndaj Harkovit është "në rritje të vazhdueshme", shtoi Sinegubov. Më herët gjatë natës, Harkovi u godit nga një raketë balistike, tha ai.

Sulmi ndodhi në kohën kur presidenti ukrainas Volodimir Zelenski përgatitej për takimin me presidentin amerikan Donald Tramp në Uashington, për shkak të brengës mes liderëve evropian se presidenti amerikan mund të kryejë presion ndaj Kievit të pranojë marrëveshje paqësore në favor të Moskës.

Forcat e Aviacionit të Ukrainës kumtuan se Rusia ka përdorur 140 dronë në sulmet e tij ndaj territorit ukrainas gjatë natës, që është numri më i madh i sulmeve të regjistruara në një natë që nga 4 gushti.

Harkovi, i cili gjendet në Ukrainën verilindore në afërsi të kufirit me Rusinë, rregullisht është cak i sulmeve ruse me dronë dhe raketa balistike nga fillimi i luftës në shkurt të vitit 2022. Sulmi paraprak me raketa balistike ka thyer rreth një mijë dritare, tha Sinegubov në Telegram. Disa banorë duhej të evakuohen që të mund të kontrollohen ndërtesat në të cilat jetojnë, shtuan shërbimet ukrainase për raste emergjente.

"Rusia është një makinë lufte vrasëse që Ukraina po e ndalon. Dhe duhet të ndalet nëpërmjet unitetit dhe presionit transatlantik", shkroi ministri i jashtëm ukrainas Andrij Sibiga  në "X" pas sulmit. Ai theksoi se forcat ruse vazhdojnë të vrasin civilë pavarësisht përpjekjeve për të arritur paqen.

Rusia thotë se nuk kryen sulme të qëllimshme ndaj civilëve. Megjithatë, mijëra qytetarë ukrainas kanë vdekur që kur Moska nisi pushtimin e saj në shkallë të plotë në shkurt të vitit 2022.

Rusia qëlloi katër raketa dhe një numër dronësh atë natë, kumtuan Forcat Ajrore Ukrainase. Ushtria ukrainase tha se 88 dronë u rrëzuan dhe se sulme u regjistruan në 25 vende në gjashtë rajone të vendit.

Shtatëmbëdhjetë persona u plagosën në një sulm me raketa në mëngjes në qytetin ukrainas të Zaporozhjas, njoftoi në Telegram kreu i administratës ushtarake rajonale të Zaporozhjes, Ivan Fedorov. Vala e shpërthimit dhe mbetjet dëmtuan ndërtesa banimi, ndërmarrje, ambiente tregtare dhe shkatërruan pjesërisht stacionet e autobusëve, tha Fedorov në një mesazh.

Gjatë sulmit me dron në rajonin e Odesës, një zjarr i madh shpërtheu në një strukturë të infrastrukturës së karburantit dhe energjisë, duke kërkuar operacione të mëdha shuarjeje të zjarreve, postoi në Telegram guvernatori rajonal i rajonit të Odesës, Oleg Kiper. "Pavarësisht punës aktive të forcave të mbrojtjes ajrore, ka pasoja të sulmit në periferi të Odesës - një strukturë e infrastrukturës së karburantit dhe energjisë, si dhe një ndërtesë dykatëshe, u dëmtuan", thuhet në mesazhin e Kiper.

Ndërkohë, dy persona u plagosën në sulmet ruse në rajonin e Sumit. Dhjetëra shtëpi dhe një ndërtesë institucioni arsimor u shkatërruan atje, thanë autoritetet lokale. "Armiku vazhdon të shënjestrojë qëllimisht infrastrukturën civile në rajonin e Sumit dhe atë natën", shkroi në Telegram kreu i administratës rajonale, Oleg Grigorov.

Ministria ruse e Mbrojtjes, nga ana e saj, njoftoi se mbrojtja ajrore e vendit shkatërroi 23 dronë ukrainas gjatë natës. sa/

foto: EPA

QËNDRONI TË LIDHUR