• e hënë, 23 dhjetor 2024

Të paktën nëntë palestinezë janë vrarë dhe rreth 100 janë plagosur në sulmin izraelit në Xhenin

Të paktën nëntë palestinezë janë vrarë  dhe rreth 100 janë plagosur në sulmin izraelit në Xhenin

Xhenin, 4 korrik 2023 (MIA) - Të paktën nëntë palestinezë janë vrarë në sulmin e djeshëm izraelit tokësor dhe ajror në  Xhenin, që paraqet për herë të parë në gati dy dekadat e fundit që shteti hebre të fillojë një ofensivë ushtarake kaq të gjerë mbi një qytet në Bregun Perëndimor. 

Ministria palestineze e Shëndetësisë  mbrëmë vonë  njoftoi se rreth 100 palestinezë janë plagosur, prej të cilëve 20 janë në gjendje kritike. 

Izraeli e konsideron zonën e  Xheninit një bastion të militantëve dhe një pikënisje për sulmet mbi izraelitët. 

 Operacioni "Shtëpi dhe Kopsht", për të cilin Izraeli tha se është drejtuar ndaj "infrastrukturës terroriste", filloi dje në orët e hershme të mëngjesit me sulme me fluturake pa pilot. Është përfshirë edhe ushtria tokësore. Pjesa më e madhe e veprimeve ushtarake po zhvillohen në kampin e refugjatëve Xhenin, i cili viteve të fundit ishte skenë e betejave midis ushtrisë izraelite dhe militantëve. Në kampin, i cili ndodhet pranë qytetit, ka rreth 17.000 banorë.

 Ushtarët izraelitë konfiskuan armë dhe eksplozivë dhe arrestuan disa persona.

Në incizimet e publikuara në mediat sociale shihet si njerëzit i braktisin shtëpitë e tyre për shkak të sulmeve izraelite. Mbrëmë kishte raportime kontradiktore për atë nëse Izraeli ka kërkuar që banorët e kampit të largohen nga kampi. 

Mediat palestineze raportojnë se armata izraelite  i ka urdhëruar familjet palestineze të largohen. Përfaqësuesit izraelit të mbrojtjes mohuan se ka një urdhër të tillë për evakuim, por theksuan se njerëzit ikin nga luftimet midis ushtarëve dhe militantëve të armatosur palestinez.  

Zëdhënësi i armatës izraelite Riçard Heht tha se armata nuk dëshiron ta pushtojë qytetin, i cili është nën kontroll të administratës palestineze (AP), por se Xhenini nuk mund të vazhdojë të jetë "bastion i sigurt për terroristët".  

Zëdhënësi i presidentit palestinez Mahmud Abas e dënoi operacionin izraelit si "krim i ri ushtarak" dhe i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare "ta ndërpresë heshtjen e saj të turpshme dhe të ndërmarrë masa serioze". ar/

 Foto: EPA

 

QËNDRONI TË LIDHUR