Të paktën 78 të vrarë në një sulm me dron ndaj një xhamie në Sudan
- Më shumë se 70 persona janë vrarë në një sulm me dron në një xhami në rajonin Darfur të Sudanit, tha një burim i lartë mjekësor për Bi-Bi-Si.
- Post By Sara Ademi
- 21:04, 19 shtator, 2025
Al-Fasher, 19 shtator 2025 (MIA) – Më shumë se 70 persona janë vrarë në një sulm me dron në një xhami në rajonin Darfur të Sudanit, tha një burim i lartë mjekësor për Bi-Bi-Si.
Për sulmin e sotëm në qytetin al-Fasher u fajësuan Forcat Paraushtarake të Mbështetjes së Shpejtë (RSF), një grup që nuk mori përgjegjësinë për incidentin.
Ushtria e rregullt dhe forcat paraushtarake RSF kanë zhvilluar një luftë të ashpër civile në Sudan për më shumë se dy vjet.
Forcat paraushtarake po fitojnë terren në betejën për kontrollin e plotë të Al-Fasher, vatrës së fundit ushtarake në Darfur dhe një qytet ku jetojnë më shumë se 300,000 civilë, të rrethuar nga luftime të vazhdueshme.
Një banor i qytetit dëshmoi për Bi-Bi-Si-së se droni goditi xhaminë gjatë faljes së sabahut, duke vrarë dhjetëra njerëz në vend.
Një burim mjekësor tha se 78 persona u vranë dhe rreth 20 u plagosën, por procesi i nxjerrjes së trupave nga rrënojat e ndërtesës ishte ende në vazhdim. sa/
foto: Uikipedia