Të paktën 73 persona janë vrarë në Gazë derisa prisnin për të marrë ushqim, bëri të ditur Ministria Palestineze e Shëndetësisë
- Ministria Palestineze e Shëndetësisë bëri të ditur se 73 persona janë vrarë sot në zona të ndryshme të Rripit të Gazës, ndërsa përpiqeshin të merrnin ndihmë humanitare.
- Post By Ajrije Rexhepi
- 17:25, 20 korrik, 2025
Gazë, 20 korrik 2025 (MIA) - Ministria Palestineze e Shëndetësisë bëri të ditur se 73 persona janë vrarë sot në zona të ndryshme të Rripit të Gazës, ndërsa përpiqeshin të merrnin ndihmë humanitare.
Numri më i lartë i viktimave ishte në Gazën veriore, ku të paktën 67 palestinezë u vranë ndërsa prisnin ndihmë humanitare, sipas Ministrisë së Shëndetësisë dhe spitaleve lokale.
Më shumë se 150 persona janë plagosur, disa prej të cilëve janë në gjendje kritike, bënë të ditur spitalet lokale.
Paraprakisht sot një agjenci palestineze e lajmeve raportoi se 12 palestinezë janë vrarë në bombardimet izraelite ndërsa prisnin të merrnin ushqim në Gazën veriore dhe zonën e qytetit Rafah. Dhjetë prej tyre kanë humbur jetën në Gazën veriore, ndërsa dy palestinezë të tjerë u qëlluan në veri të qytetit Rafah, thekson agjencia.
Foto: Arkivi i MIA-s