• e premte, 05 dhjetor 2025

Të paktën 57 persona në Gazë kanë vdekur nga kequshqyerja

Të paktën 57 persona në Gazë kanë vdekur nga kequshqyerja

Gazë, 3 maj 2025 (MIA) - Të paktën 57 persona, kryesisht fëmijë kanë vdekur nga kequshqyerja në Rripin e Gazës që nga fillimi i ofensivës izraelite më 7 tetor 2023, ka thënë sot drejtori i spitaleve të Gazës, Marvan al-Hams.

"Numri i vdekjeve që lidhen me kequshqyerjen vazhdon të rritet për shkak të bllokadës së vazhdueshme izraelite dhe kolapsit pothuajse të plotë të sektorit të shëndetësisë", tha Al- Hams.

Ai tha se shumica e banorëve vuajnë nga anemia për shkak të ushqyerjes së dobët dhe mungesës së furnizimeve bazë të ushqimit dhe spitalet në terren po dëshmojnë një numër në rritje të rasteve të anemisë midis dhuruesve të gjakut, gjë që po pengon Shërbimet mjekësore të emergjencës.

Al-Hams paralajmëroi gjithashtu se pacientët me sëmundje kronike, përfshirë kancerin dhe atë me probleme me veshkat po "vdesin në heshtje" për shkak të mungesës së trajtimit dhe kujdesit të specializuar.

"Të lënduarit dhe të sëmurët kronikë kanë nevojë për kujdes urgjent që ne nuk mund ta sigurojmë më", tha Al-Hams, duke shtuar se vetëm disa spitale janë ende në funksion, kryesisht të drejtuara nga vullnetarë.

Ndërkohë, zyra qeveritare e medias e drejtuar nga Hamasi akuzoi Izraelin se po përdor urinë si armë kundër popullsisë civile.

Izraeli ndaloi hyrjen e mallrave dhe furnizimeve në Gazë më 2 mars, pasi faza e parë e një marrëveshje të armëpushimit me Hamasin skadoi në janar. Faza e dytë nuk është zbatuar ende për shkak të mungesës së konsensusit midis palëve.

Foto: arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR