Të paktën 56 të arrestuar në Los Anxhelos për pjesëmarrje në protestat kundër bastisjes së emigrantëve
- Të paktën 56 persona janë arrestuar në qendër të Los Anxhelosit për pjesëmarrje në protesta kundër bastisjeve të emigrantëve, bëri të ditur policia.
- Post By Fami Bajrami
- 11:20, 9 qershor, 2025
Los Anxhelos, 9 qershor 2025 (MIA) – Të paktën 56 persona janë arrestuar në qendër të Los Anxhelosit për pjesëmarrje në protesta kundër bastisjeve të emigrantëve, bëri të ditur policia.
Policia tha se protestuesit u arrestuan pasi injoruan paralajmërimet për t'u shpërndarë pasi tubimet në qendër të Los Anxhelosit u shpallën të paligjshme, informon En-Bi-Si.
Mësohet se midis të arrestuarve është edhe një person që dyshohet se hodhi koktej molotovi drejt një polici, si dhe një person që dyshohet se me motor ka goditur kordonin e policisë, duke plagosur njërin prej tyre.
Përleshjet midis protestuesve dhe policisë vazhdojnë në qendër të Los Anxhelosit, ndërsa policia paralajmëron se do të përgjigjet me forcën e duhur nëse protestuesit përdorin "mjete ndezëse".
Numri i protestuesve në rrugët e Los Anxhelosit është zvogëluar, por disa grupe ende po konfrontohen me policinë, ndërsa trafiku është ndërprerë, ndërsa tym po del nga autostrada 101.
Korsitë jugore të autostradës 101 janë të mbyllura deri në njoftimin e radhës për shkak të protestave, tha Departamenti i policisë së Los Anxhelosit për Iks.
Policia kumtoi se protestuesit kanë hedhur lëndë në hyrjet e autostradës dhe kanë dëmtuar disa automjete policie, raporton Si-En-En.
Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Njusom tha se shteti do të ngrejë padi kundër administratës së presidentit të SHBA-së, Donald Tramp, për shkak siç tha ai "angazhimit joligjor, jomoral dhe jokushtetues të Gardës kombëtare në Los Anxhelos për zmbrapsjen e protestave".
Miliarderi amerikan Ilon Mask, marrëdhënia e të cilit me Trampin u tendos javën e kaluar, mbrëmë në platformën Iks mbështeti reagimin e administratës Tramp ndaj protestave në Los Anxhelos.
Trampi ka urdhëruar vendosjen e 2.000 trupave të Gardës kombëtare për të ngulfatur protestat e emigracionit në Los Anxhelos.
Foto: EPA