• e hënë, 23 dhjetor 2024

Të paktën 44 viktima në sulmet izraelite në Rafah

Të paktën 44 viktima në sulmet izraelite në Rafah

Gazë, 10 shkurt 2024 (MIA) – Krahas apeleve dhe paralajmërimeve të bashkësisë ndërkombëtare për katastrofë humanitare, vazhdojnë sulmet izraelite në Rafah me çka jetën e kanë humbur të paktën 44 persona.

Izraeli pretendon se qyteti në kufi me Egjiptin është bastioni i fundit i Hamasit në territorin e Rripit të Gazës.

Para kësaj, kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu kërkoi nga ushtria që të përgatisë plan për evakuimin e qindra mijëra njerëzve nga pjesa jugore e Rripit të Gazës pas ofensivës tokësore. Netanjahu nuk ka dhënë detaje apo afate kohore. Është njashtu e paqartë se ku mund të shkojnë civilët nëse largohen nga Rafah. Ushtria izraelite bombardon qytetin pothuajse çdo ditë edhe pse ka urdhëruar civilët të strehohen në Rafah për shkak të luftimeve në Kan Junis.

Më shumë se gjysma e 2.3 milionë banorëve të Rripit të Gazës janë mbledhur në Rafah, shumë prej të cilëve u dëbuan nga shtëpitë e tyre pas urdhrave të mëhershëm të Izraelit për evakuim që përfshijnë dy të tretat e territorit të enklavës.

Ditët e fundit, paralajmërimet për ofensivën kundër Rafës i shtuan tensionet mes Netanjahut dhe administratës së presidentit amerikan Xho Bajden. Sipas Uashingtonit një ofensivë në Rafah pa një plan për civilët do të shkaktonte katastrofë.

Lëvizja islamike palestineze Hamas, ndërkohë, paralajmëroi se ofensiva izraelite kundër Rafës mund të shkaktojë "dhjetëra mijëra të vdekur dhe të lënduar".

"Paralajmëruam në një katastrofë dhe vrasje masive që mund të çojë në dhjetëra mijëra martirë dhe të lënduar", theksohet në kumtesën e Hamasit duke shtuar se "administrata amerikane, bashkësia ndërkombëtare dhe okupatorët izraelitë do të mbajnë përgjegjësi për pasojat e mundshme".

Si Gjermania ashtu edhe Arabia Saudite kanë apeluar që Izraeli të mos nisë ofensivë në Rafah, pasi kjo do të çonte në "katastrofë humanitare".

QËNDRONI TË LIDHUR